Teksa 22 korriku shënon afatin e fundit për regjistrimin e subjekteve politike në zgjedhjet për Bashkinë e Himarës që do të mbahen në 4 gusht, Partia Socialiste dhe ajo Demokratike kanë depozituar kërkesat tyre pranë KQZ-së.
Socialistët do të kandidojnë të vetëm me Vangjel Tavon, ndërsa demokratët e Berishës, sikundër në zgjedhjet e kaluara do të dalin sërish me një koalicion, në përbërje të të cilit janë grupuar 6 parti aleate, që mbështesin pasuesin e Fredi Belerit në garën për Himarën, Petro Gjikurinë.
Në këto zgjedhje demokratët vijnë me vendimin e Gjykatës së Apelit, për t’u regjistruar me Sali Berishën kryetar. Krahas PS-së e PD-së, në KQZ janë depozituar kërkesat për regjistrimin e aleatëve të demokratëve; PBDNJ-së së Vangjel Dules, Partisë së Lirisë, PDK-së së Nard Ndokës, Republikanët e Mediut, Balli Kombëtar dhe FRD-ja e Sali Shehut. Partitë politike kanë afat deri më 24 korrik për të regjistruar edhe koalicionin, ndërsa fushata e dy rivalëve në garë, Tavo e Gjikuria do të nisë zyrtarisht të shtunën e 27 korrikut.
Banorët e Himarës do t’u drejtohen në 4 gusht kutive të votimit pas shpalljes së pavlefshëm nga KQZ-ja të mandatit të Alfred Belerit, i cili u dënua me dy vite burg për blerje votash.
Tv Klan