Historia e Anxhelina Petros vijon të mbetet në fokusin e mediave greke. Së fundmi është publikuar një video-dokument ku shfaqet vajza shqiptare së bashku me babain e saj Aleko Petro, pak ditë para ngjarjes së rëndë. Të dy ndodheshin në shtëpi dhe Anxhelina udhëzonte të atin si të gatuante.

Të dy bënë një byrek në kuzhinën ku Aleko goditi vajzën e tij dhe i mori jetën. Në pamjet e dokumentuara, duken ambientet e brendshme të shtëpisë së familjes Petro. 52-vjeçari Aleko shfaqet në kuzhinë duke gatuar. Këto foto janë bërë disa ditë përpara se të ndodhte ngjarja e rëndë.

I dashuri afgan i vajzës, i cili tregoi një ditë më parë se i kishte propozuar për martesë Anxhelinës, rrëfen gjithashtu se babai e kishte sulmuar një herë me thikë vajzën e tij, por ajo kishte mundur të dilte nga dritarja.

“I thashë asaj që të shkonte dhe të bisedonte me policinë, por nuk donte. Erdhi tek unë me lot në sy. Kërcënimet dhe rrahjet e Anxhelinës ishin bërë më të shpeshta. Problemi i babait të saj ishte fakti që unë jam afgan. Ai nuk më njohu personalisht, por origjina ime ishte problem”

, është shprehur Ali, partneri afgan i Anxhelinës së ndjerë.

Më 2 Janar, kur vajza kishte shkuar sërish në shtëpinë e të atit për festat e fundviti, mes tyre nisi një debat pasi Anxhelina komunikonte me SMS me të dashurin e saj. I ati shfaqi pakënaqësi dhe e goditi për vdekje më shumë se shtatë herë me shufër hekuri, dhe trupin e saj e varrosi në oborrin e shtëpisë. Aleko Petro është arrestuar dhe ka pranuar krimin. Ai ka thënë se është penduar dhe ka kërkuar që të varet në shesh publik.

Ndërsa trupi i vajzës mbërriti të martën në Berat, aty ku jeton e ëma e saj, për t’u varrosur në vendlindje. Në fakt ky ka qenë dhe amaneti i Anxhelinës. I dashuri i saj u ka thënë mediave greke se dikur Anxhelina i kishte rrëfyer se kur të vdiste do të donte të varrosej në Berat, në fshatin ku ajo ka lindur. /

tvklan.al