Makina tip “Audi” me portobagazh e përdorur në vrasjen e 27 vjeçarit Klaudio Prendi pak pas mesnatës së të hënës, ka rezultuar e vjedhur në Tiranë, një vit më parë.
Pas ekspertizës së kryer në mjetin tërësisht të shkrumbuar nga autorët, pas ngjarjes, policia ka zbuluar se ai ka qenë i denoncuar si i vjedhur në 2023, në zonën e Liqenit Artificial në kryeqytet.
Mbi këto të dhëna, grupi hetimor po kryen verifikime për të parë nëse mes personave që fshihen pas vjedhjes së automjetit dhe atentatorëve ka ndonjë lidhje.
Sakaq policia vijon të mbledhë kamera sigurie qoftë në zonën e Porcelanit ku u krye ngjarja, por dhe në Farkë ku autorët dogjën makinën, së bashku me armën e krimit.
Përmes tyre hetuesit shpresojnë evidentojnë ndonjë gabim të atentatorëve, apo të zbulojnë makinën që i largoi nga zona e Farkës.
Ndërkohë sa i takon shkaqeve të kësaj vrasje, policia dhe prokuroria janë përqëndruar më së shumti tek konfliktet e viktimës kohët e fundit.
Tv Klan