Deri tani i kishte akuza fjalësh. Por me mbajtjen e zgjedhjeve në Partinë Demokratike, ish–nënkryetari Astrit Patozi sjell edhe prova të pakontestueshme se si u manipuluan zgjedhjet për kryetarin, filmime ku tregohet se si u mbushën kutitë e votimit.
Patozi ka postuar dy video, në të cilat shihet se si anëtarë të Partisë Demokratike votojnë disa herë, të pashqetësuar.
Filmimet i përkasin votimit në degën e Vlorës.
Në videon e parë shihet se si një anëtar voton dy herë. Në votimin e parë, kamera e fokuson pas një grupi gazetarësh që po marrin intervista për ecurinë e procesit.
Në votimin e dytë i njëjti person, me të njëjtën veshje hedh sërish një tjetër votë dhe largohet i pashqetësuar.
Në videon e dytë, shfaqet një anëtar që voton plot 3 herë. Është personi me bluzë të bardhë dhe pantallona bezhë.
Në të tre rastet kalon komisionin e ngritur për të administruar procesin, merr fletën e votimit dhe e hedh tërësisht i pashqetësuar.
Edhe në një video të tretë të postuar në internet, në të njejtën qendër votimi, një anëtar voton dy herë.
Për Patozin s’ka dyshim se këta janë votuesit e Lulzim Bashës, që i dhanë atij mbi 91 % të mbështetjes.
Komisioni i Operacioneve Elektorale në Partinë Demokratike thotë se votuan 59 mijë e 766 anëtare, ose 57.5 % e tyre.
Por me votat e hedhura nga dy-tre hereë, siç shihet në videot e postuara nga Astrit Patozi, shifrat janë të kompromentuara, sikundër edhe vetë procesi.
Pas publikimit të këtyre fakteve pritet reagimi i Lulzim Bashës, i cili për video e prova më pak të qarta se këto, ngriti një furtunë kundër qeverisë, për zgjedhjet e pjesshme në Dibër, duke folur për manipulim të rëndë të rezultatit. TV KLAN