Zjarri që nisi dje në Frashtan të Dropullit ka vijuar edhe ditën e sotme, duke krijuar problematika të mëdha deri në Finiq. Gazetarja Dorina Muhaj ishte pranë fshatit Kardhikaq, aty ku vatrat e zjarrit vijonin të ishin shumë të përhapura.
Për t’i shuar ato janë përqendruar forcat e shumta zjarrfikëse dhe ushtria, që bëjnë të mundur monitorimin dhe mbajtjen nën kontroll të flakëve.
“Ato janë të rrezikshme si pasojë e erës dhe temperaturave shumë të larta”, raportoi gazetarja.
Në çdo segment të rrugës së vjetër që të çon në Delvinë ka ekipe zjarrfikësish dhe të ushtrisë. Banorët kanë dalë nga shtëpitë për të mbajtur nën kontroll një situatë që mund të përkeqësohet nga momenti në moment. Pjesa ku ishte vendosur gazetarja rrezikon edhe atraksionin turistik të Syrit të Kaltër.
“Momentalisht ku ndodhem vetëm para 3 minutave ka qenë një vatër zjarri shumë e madhe, të cilën zjarrfikësit bënë të mundur që ta shuanin atë pasi duke qenë se është rruga e vjetër që të çon në Delvinë, mund të rrezikonte të shkonte në pjesën tjetër të malit, aty ku ndodhen edhe pyjet e Syrit të Kaltër”, tha gazetarja.
Gazetarja Muhaj pati një komunikim edhe me shefin e ekipit të zjarrfikësve që shpjegoi më qartë situatën.
“Që dje në orën 22:00 kaloi zjarri nga zona e Dropullit në zonën e Finiqit. I kemi vënë të gjitha në dispozicion për fikjen e zjarrit. Janë 44 forca zjarrfikëse, 12 makina zjarrfikëse, janë 67 forca të tjera që kanë ardhur për fikjen e zjarrit. Zjarri ka ardhur nga fshati Frashtan nga Bashkia e Dropullit. Me të gjitha forcat mobilizohemi që të mbrojmë në radhë të parë tre fshatrat, Muzinë, Pecë dhe Kardhikaq dhe pastaj, zonën e mbrojtur të Syrit të Kaltër”, tha ai.
Përafërsisht përllogaritet që hapësira e djegur të jetë rreth 70 hektarë. Ndërkohë po i njëjti bën me dije se nga Muzina deri në Kardhikaq është një vijë e zjarrit rreth 5 kilometra.
Forcat zjarrfikëse janë në pritje të helikopterit, por edhe forcave të tjera nga Himara dhe Tepelena. Shefi i zjarrfikësve theksoi se zona e Muzinës është një nga më delikatet megjithëse sqaron se deri më tani nuk është rrezikuar jeta e asnjë qytetari në fshatrat më problematike.
“Këtu është zona më delikate, e cila ka të bëjë dhe me Syrin e Kaltër, përveç tre fshatrave. Nuk ka deri në këtë moment banorë të evakuuar, zjarrfikësit kanë bërë punën e tyre dhe nuk kanë rrezikuar jetën e qytetarëve në këto tre fshatra”, tha ai.
Ndërkohë Policia e Gjirokastrës ka identifikuar dhe arrestuar autorin e zjarrvënies në pyjet e fshatit Frashtan. Bëhet fjalë për një 39-vjeçar, banues në atë fshat.
“Si rezultat i veprimeve të shpejta hetimore dhe policore, të kryera menjëherë pas njoftimit se në pyjet e fshatit Frashtan, në vendin e quajtur “Papasima”, kishte rënë zjarr, Policia e Gjirokastrës ka mundësuar identifikimin dhe arrestimin e autorit të dyshuar të zjarrvënies, shtetasit M. K., 39 vjeç, banues në fshatin Frashtan, Dropull. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë së Gjirokastrës, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Shkatërrimi me zjarr i pyjeve dhe i mjedisit pyjor””, njoftoi policia./tvklan.al