Dita e fillimit të reality show “Lider” po afron, ndërsa audicionet zbulojnë gjithnjë talente të rinj.
Seria e radhës e audicioneve që do transmetohet sonte në orën 20:05 minuta në TV Klan rezervon surpriza nga më të ndryshmet.
21-vjeçarja, Enrida Isufaj, vjen nga komuniteti rom dhe mbron me pasion origjinën e saj.
Ajo studion në dy fakultete paralelisht, për Juridik dhe Marrëdhënie për Publikun, ndërsa është e vendosur të bëjë gjithçka për të ndryshuar jetën e komunitetit të saj.
Enrida Isufaj: “Nisur nga eksperiencat personale mund të them që diskriminimi ekziston, sidomos në atë fushë, në atë fushë që është tepër e rëndësishme për integrimin dhe zhvillim të minoritetit, siç është arsimimi.”
Besart Dovolani është një tjetër i ri që vjen të konkurrojë nga Maqedonia. Edhe ai studion në dy fakultete njëkohësisht dhe është besimtar praktikant mysliman.
Besarti zotëron nëntë gjuhë të huaja, megjithëse mosha e tij është shumë e re. Ai është i shqetësuar për gjendjen e shqiptarëve në Maqedoni dhe diskriminimin e vazhdueshëm të 1/3-tës së popullsisë.
Besart Dovolani: “Edhe pse Maqedonia nuk e ka atë problematikë që e ka patur Shqipëria dhe e ka akoma me pronat përsëri në pjesën perëndimore ky proces po zvarritet qëllimshëm dhe me të vetmin qëllim që ne të mos jemi konkurrues në treg”.
Në serinë e sotme të audicioneve do të njiheni dhe me personazhe të tjerë shumë interesantë, të cilët vijnë nga fusha të ndryshme studimesh.
Ka nga ata që janë angazhuar drejtpërdrejt në politikë, pavarësisht nga mosha e re, të gjithë me një ambicie të hapur, të bëhen lider./tvklan.al
Gazetare: Anduena Llabani