Personi që ka nxjerrë nga shtëpia biznesmenin Genci Habazaj, përpara se ai të rrëmbehej dhe të ekzekutohej në rrethinat e Fierit, konsiderohet nga grupi i hetimor i prokurorëve të Vlorës si çelësi që mund të zbardhë gjithë skemën e eliminimit të tij.
Në sitën e hetuesve kanë kaluar të gjitha tabulatet telefonike të thirrjeve që Habazaj ka kryer dhe ka marrë 48 orë para rrëmbimit të tij. 39-vjeçari kishte në përdorim dy numra, një italian dhe shqiptar nga ku ka pasur komunikim të vazhdueshëm me shumë persona.
Telefonata e fundit e biznesmenit vlonjat ishte me një të afërm të familjes rreth orës 19:00 të së premtes. Siç edhe dëshmoi nëna e tij, ai refuzoi ta takonte kushëririn duke i thënë se kishte lënë takim me një shok. Kjo dhe fakte të tjera kanë bindur prokurorinë se Habazaj është nxjerrë nga shtëpia nga një i njohur i tij.
Ornela Hila: “Motivi më i mundshëm ngelet konflikti për jetën private. Gjithsesi grupi hetimor vijon hetimet duke marrë në pyetje të afërm, shoqërinë dhe të dyshuar apo persona që janë parë me Genci Habazaj.”
Pikërisht mbi rrethin shoqëror të viktimës, janë ngritur dyshimet më të mëdha nga familjarët e Habazajt, por nuk përjashtohet as mundësia e konfliktit për shkak të borxheve, apo marrëdhënieve të tij personale.
Për këtë arsye grupi hetimor ka nisur verifikimin e të gjitha transaksioneve të tij bankare që prej 1 viti. 39-vjeçari kishte blerë, një apartament një garazh dhe një dyqan në zonën e Ujit të Ftohtë.
Informacionet e servirura nga prokuroria italiane lidhur me aktivitetin e Habazajt në Itali pritet të ndihmojnë në hetimin e çështjes. Mbeten ende pikëpyetje pse Habazaj u çua nga rrëmbyesit në rrethinat e Fierit, ku pasi u ekzekutua me çifte iu vu flaka nga autorët e krimit./tvklan.al
Gazetare: Ornela Hila