Rasti i Gjirokastrës kur një pallat shembet si kala rëre në mes të ditës rrezikon të përsëritet. Këtu jemi në qytetin e Vlorës në lagjen “29 Nëntori” dhe ky pallat katër katesh, siç tregojnë edhe këto pamje, mezi qëndron në këmbë.
Fatkeqësisht paralelizmi me rastin e Gjirokastrës është i pashmangshëm. Shkak për çarjen e pallatit është bërë një ndërtim i ngritur fare pranë themeleve të kësaj godine, çka ka shkaktuar edhe çarjet e mureve.
Ornela Hila: “Jemi përballë pallatit me numër 1949 këtu në qytetin e Vlorës. Është një nga pallatet problematike analog me atë të Gjirokastrës. Prej katër vjetësh apelohet nga banorët dhe ankohet në bashki për shkak të rrezikut të shembjes së këtij pallati. Momentalisht që flasim ai është spostuar me 30 centimetra.”
Prej mese katër vjetësh të dhjetë familjet e këtij pallati jetojnë me frikën e shembjes. Krisja e mureve vijon të bëhet edhe me evidente nga dita në ditë dhe përshkon pallatin nga kati i parë deri tek ai i fundit.
Banorët ankohen me të drejtë se çdo ditë jetojnë me frikë. Ata janë ankuar disa herë edhe pranë pushtetit vendor. Ngjarja e Gjirokastrës i ka trembur akoma edhe më shumë.
“Pas kësaj që ndodhi, pas Gjirokastrës është se mund të ndodhë e njëjta gjë dhe me ne sepse e shoh ditë për ditë kam, që jam këtu dhe shoh plasaritje të mëtejshme. Nuk e di se si mund të marrë kjo”.
“Kemi shumë frikë, shumë frikë dhe për natë ne flemë me ankth, me frikë flemë sepse kërcasin tullat brenda, kërcasin natën.”
Banorët i kanë nisur ankesat qysh në vitin 2005, kur janë regjistruar edhe plasaritjet e para. Atë vit një grup ekspertësh të bashkisë së Vlorës, e cilësuan këtë pallat si të pabanueshëm, por bashkia nuk ka marre ende asnjë mase. E ndoshta do të duhet të përsëritet tragjedia e Gjirokastrës për të kuptuar rrezikun që u kanoset këtyre familjeve.
Në Lezhë një tjetër pallat po kërcënon seriozisht jetën e 20 familjeve. Ky është pallati 16 në lagjen Skënderbeg të qytetit, i cili rrezikon shembjen dita-ditës.
Katet e para të kësaj godine të ngritur rreth viteve ‘50 gjenden të përmbytura nga uji duke përhapur lagështirën në të gjithë pjesën tjetër të godinës. E sakaq edhe çatia rrezikon të shembet, por fakti më tronditës është se sipas specialistëve toka ku është ngritur pallati është e paqëndrueshme për shkak të një burimi ujor nëntokësor.
Banorët e këtij pallati thonë se jetojnë me frikën, por nuk mund ta braktisin se nuk kanë ku të shkojnë. Lagështia dhe aroma e rëndë janë bërë shkak edhe për shumë sëmundje.
“Me shpresë të Zotit, ndihmë të Zotit këtu një lëkundje e vogël, e vogël një lëkundje këtu shembet. Na zë të gjithë brenda.”
Banorët e këtij pallati nuk kanë gjetur zgjidhje tek kryetari i bashkisë, ndërsa u është deklaruar se kjo godinë do të shembet, por këto të Vlorës apo të Lezhës për fat të keq nuk janë raste të izoluara.
Ndërtimet e reja që ngrihen pa respektuar kushtet e sigurisë po kërcënojnë me dhjetëra familje ne mbarë vendin./tvklan.al
Gazetar: Fjorald Zguro