Edhe pse nuk jemi akoma në pikun e sezonit të gripit dhe infeksioneve respiratore, epidemiologët shprehen se është shtuar ndjeshëm numri i personave që paraqiten në Qendrat Shëndetësore.

“Infeksionet në rrugët e sipërme respiratore ku përfshihen gjithë virozat stinore, gripi, ndoshta Covidi që bashkëqarkullon me gripin dhe respiratoret që janë si virus dhe ato përfshihen në këtë numër vizitash ku mbizotëron më tepër numri i vizitave për trekun respirator të sipërm. Jemi gati në pikun e infeksioneve virale të gripit”,tha Rexhep Muja.   

Më të prekur dhe të rrezikuar sipas specialistëve janë grupmosha e tretë dhe ata me sëmundje kronike.

“Po ta shikojmë të gjithë grupmoshat janë të prekura, sidomos nga virusi i gripit por në grupmoshat e rritura por edhe ato që kanë ndërlikime që kanë sëmundje kronike ato janë më të prekur. Kush është i vaksinuar nuk ma merr mendja se ka probleme me infeksione virale. Ai mund të merret, të transmetohet por shenja nuk japin”, tha Muja.   

Dukë marrë shkas nga kjo situatë epidemiologjike, Instituti i Shëndetit Publik rekomandon marrjen e vaksinës kundër gripit.

“Ju sugjerojmë të gjithë qytetarëve të cilët janë sidomos mbi moshën 60 vjeç apo kanë sëmundje kronike si përshembull diabet, sëmundje kardiovaskulare, sëmundje kronike të veshkave, apo sëmundje të tjera të vaksinohen ndaj gripit sepse nuk është vonë”, tha Silva Bino.   

ISHP nënvizon se situata është e njëjta me atë të një viti më parë si për infektimet, po ashtu dhe për shtrimet në spitale, megjithatë qytetarët duhet të tregohen sa më të kujdesshëm.

Klan News