Rasti i parë i konfirmuar zyrtarisht i prekur nga gripi i derrit në Shqipëri e rendit vendin tonë në listën e 82 vendeve të prekura nga ky virus, por autoritetet më të larta shëndetësore në vend duke pranuar se virusi është i pranishëm sqarojnë popullsinë se nuk ka vend për panik pasi institucionet shëndetësore disponojnë gjithë medikamentet e nevojshme.
Anila Godo: “Fondi për momentin nga kursimet që ne kemi të projektit të Bankës Botërore që me gripin e pulave është 350 mijë euro kemi një sasi Tamifluje kemi porositur 10 mijë doza të tilla, kemi për 5 mijë qytetarë. Preferojmë ndoshta të blejmë një 10-tshe tjetër në mënyrë që vërtetë të jemi të qetë. Janë nisur nëpër spitalet rajonale sasi të vogla për emergjencat e para. Popullsia duhet të rrijë e qet, të evitojë mbledhjet, grumbullimet në ambiente shumë të ngushta dhe pak të ajrosura, të përpiqet të mbajë një higjienë vetjake të ekzagjeruar.”
Sidoqoftë zbulimi i rastit të parë ka detyruar autoritetet shëndetësore të forcojnë masat dhe kontrollet por gjithsesi jo në nivele drastike.
Alban Ylli: “Ekziston një plan kontingjente i cili parashikon dhe është dinamik, pra ndryshon kohë pas kohe në varësi të ndryshimit të situatës. Aty parashikohen dhe rastet se kur mundet të mbyllen shkollat apo kopshtet. Por po vëmë re që në vendet e tjera evropiane siç janë Anglia apo Italia ata nuk po mbyllin më shkollat në momentin që flasim. Virusi i ri pandemik ka një qarkullim komunitar në Shqipëri, ai qarkullon midis qytetarëve të Shqipërisë nuk është e domosdoshme të hetohet çdo rast i izoluar, ne do të raportojmë pranë OBSH-së rreth 100 rastet e para.”
Çdo ditë testohen raste të dyshuara , numri i të cilave ka arritur në 100, por deri tani rasti i vetëm është ai i 20-vjeçarit nga Gjirokastra, tashëm i shëruar , dhe pikërisht shërimi i tij është marrë si shembull nga autoritet shëndetësore për mos lejimin e marrjes së Tamiflusë pa rekomandimin e mjekut.
Alban Ylli: “Tamifluja nuk duhet të jepet veçse me këshillimin e mjekëve dhe sidomos mjekëve specialist. Në protokoll është përcaktuar qartë që do përfshihet epidemiologu dhe infeksionisti në dhënien e Tamiflusë. Mund t’ju them dhe një fakt tjetër në Angli megjithëse në protokollet e tyre ata kishin parashikuar dhënien e Tamiflusë për çdo person me shenja klinike të gripit H1N1, shumica dërmues e mjekëve të qendrave shëndetësore nuk e kishin dhënë atë për arsye se shenjat kishin qenë shumë të lehta.”/tvklan.al
Gazetare: Brunilda Cami