“Ka Një Mesazh Për Ty” i kushtohet sot një artisteje të talentuar që ka vjedhur zemrat e të gjithëve. Pak ditë më parë Marsela Çibukaj festoi ditëlindjen e saj në të cilën solli edhe mini-albumin “Petale”. Por djemtë që kanë ardhur për Marsela Çibukajn nuk kanë vetëm mesazhe dashurie, por një listë kërkesash për të.
Vitmar Basha, bashkëshorti i saj dhe banda e përbërë nga Arbri, Blerati dhe Piko duan t’i kujtojnë që duhet të jetë disi më e relaksuar, pa e shqetësuar veten edhe për gjërat e vogla.
Mesazhi fillimisht erdhi me veshjen e Pikos, i cili erdhi si asnjë i ftuar tjetër më parë në studion e së “Dielës Shqiptare” në Tv Klan: me xhinse deri te gjuri, diçka të cilën Marsela nuk do ta kishte lejuar kurrë gjatë një shfaqjeje live. Ndër të tjera, djemtë na tregojnë edhe më shumë për natyrën e këngëtares përtej kamerës.
Vitmar: Sot kemi ardhur sepse e duam fort të gjithë në mënyrën tonë dhe t’i themi që jeta është më e bukur pa shumë preokupacione që ka ajo në përgjithësi, siç ishte i pari me Pikon, pastaj do vazhdojmë me listën.
Ardit Gjebrea: Pra ju keni ardhur me një listë me kërkesa. Cilat janë më thelbësore se ti the që nuk do të na dalin 4 emisione për të gjitha kërkesat që kam?
Vitmar: Po, e para është që ta dojë veten pak më shumë duke u munduar që ta heqë pjesën e ankthit para live sepse preokupacioni para live është ajo që e lodh më shumë sesa vetë live.
Ardit Gjebrea: Për çdo artist përpara se të këndojë live ka emocione, kështu që… apo ajo ka ndonjë gjë të ekzagjeruar?
Blerat: E ka gjithmonë herën e parë, sikur del për herë të parë në skenë, i njëjti emocion.
Ardit Gjebrea: Dhe çfarë thotë?
Blerat: Thotë “do ta fillojmë me këtë këngë, ‘Thërrime dashurie’”, Arbrit i thotë do fillojmë me këngën e Adele, “Set fire to the rain”, më thotë edhe mua “Set fire to the rain”, bëhu gati, filloje ti dhe unë bëhem gati për ta filluar dhe vetëm kur dëgjoj një akord pianoje, është kënga jonë.
Arbër: Sepse ndërkohë që Blerati është duke rregulluar tingullin e kitarës për “Set fire to the rain”, Marsela ka ardhur te unë dhe më ka thënë “Jon”.
Ardit Gjebrea: Ndërron mendje në mënyrë të jashtëzakonshme, po?
Arbër: Në çdo moment.
Vitmari vijon dhe thotë se edhe në shtëpi ndodh e njëjta gjë, Marsela nis të pastrojë shtëpinë për të larguar emocionet përpara performancës. Një kohë të gjatë merr edhe veshja dhe kur arrijnë në vendin ku do të performojnë, nis rituali i pastrimit të skenës që tashmë e shohin me humor.
Vitmar: Edhe sot ndodhi, në mëngjes, “do t’i futem të pastroj shtëpinë”, tha. Çfarë je duke thënë, si do të pastrosh shtëpinë, është mirë që të marrësh…relaksohu derisa të vijë ora që ne të ikim. E ka fiksim, para live do të lajë gjithë shtëpinë. Gjëja tjetër më e bukur është që kur merr një njeri që ta ndihmojë, e merr atë njeri që ta ndihmojë që ta mbajë me muhabet këtë se kjo bën punët, ajo rri bën muhabetin.
Arbër: Unë kur kam filluar të punoj me Marselën në fillim nuk e kuptoja akoma stilin sesi e kishte Marsela reagimin para live dhe filloja stresohesha vetë, çfarë ka që s’shkon me këtë? Një moment filloi po pastronte skenën, mori valixhet e tastierave, mori këllëfin e kitarës, po i pastronte nga skena. E pashë atë lëvizjen që po bënte dhe i thashë o Marsela, je që je merre këtë fshesën dhe vazhdo pastro gjithë lokalin se je në rregull, që të qetësohesh.
Ardit Gjebrea: Ndërkohë ti ankohesh për vonesat e saj, si ka mundësi?
Vitmar: Para live, nuk ka mjaftuar që ka pastruar gjithë shtëpinë, ka larë, ka shfryrë gjithë emocionet, ankthin, por nuk arrin dot të gjejë fustanin e duhur ose veshjen e duhur dhe kjo i ha gati 2-3 orë para live.
Ardit Gjebrea: Të merr mendim?
Vitmar: Po, gjithmonë.
Ardit Gjebrea: Dhe në fund bën me kokën e vet, bën të kundërtën?
Vitmar: Po./tvklan.al