Lajme Arkiva – TV Klan 2004

Kryeadministratori i Kosovës Harri Holkeri në vazhdimësi të vizitës së tij është takuar me Ministrin e Punëve të Jashtme Kastriot Islami. Pas një takimi në konferencën për shtyp, të dyja palët u shprehën se kjo vizitë i shërbeu institucionalizimit të marrëdhënieve midis Shqipërisë dhe Kosovës.

Kreu i diplomacisë shqiptare vuri në dukje rolin pozitiv që luan zoti Holkeri si kryeadministrator dhe njëkohësisht theksoi se roli i moderuar i qeverisë shqiptare është i rëndësishëm në statusin përfundimtar të Kosovës. Me tej zoti Islami tha:

Kastriot Islami:- “Mund të them pa asnjë dyshim, se kemi një fokus të përbashkët me qëndrimin e UMNIK-ut, me qeverinë e Kosovës, me faktorin shqiptar në Kosovë dhe kemi shprehur angazhimin e plotë të qeverisë për të kontribuar së bashku të njëjtën filozofi, e cila është përcaktuar dhe në mbledhjen e fundit të Këshillit të Sigurimit”.

Ndërsa Harri Holker u shpreh se marrëdhëniet midis Shqipërisë dhe UMNIK-ut, janë shumë të mira ndërsa integrimi dhe bashkëpunimi rajonal është çelsi i suksesit në rajonin tonë. Po në ambientet e Ministrisë së Jashtme, u nënshkrua një marrëveshje për nxitjen dhe mbrojtjen e investimeve midis Kosovës dhe Shqipërisë. Nënshkrimi i kësaj marrëveshje do të rrisë bashkëpunimin ekonomik ndërmjet të dy vendeve. Për palën shqiptare ajo u nënshkrua nga Ministri i Ekonomisë Anastas Angjeli.

Kjo marrëveshje vjen pas nënshkrimit të dokumentit të tregtisë së lirë në verën e vitit 2003. Njëkohësisht po punohet edhe për përpilimin e një dokumenti për eliminimin e taksave të dyfishta në marrëdhëniet tregtare midis Kosovës dhe Shqipërisë./tvklan.al