Në krah të shefes së KE-së Edi Rama ka konfirmuar angazhimin për vijimin e reformave për anëtarësimin e vendit në vitin 2030.
Edi Rama: Tanimë Shqipëria është ulur në tryezën e negociatave për anëtarësim dhe ka hapur grup kapitullin e parë të “Themelore”-ve duke hyrë në një fazë të re. Në fazën kur, kur të vini përsëri do duhet ta mbyllni konferencën e shtypit duke thënë: “Ne duam anëtarësimin e Shqipërisë në BE”.
Ursula von der Leyen: Jam tejet e gëzuar të shoh se sa shumë ka arritur tashmë Shqipëria në rrugëtimin e saj drejt Bashkimit Europian. Dhe në fakt vërtet që më në fund javën e shkuar, ne hapëm negociatat kështu që vërtet nuk duhet ta kërkojmë më këtë gjë, pra hapëm negociatat për grup kapitullin e çështjeve themelore, sepse ne punojmë me grup kapituj. I dashur Edi, çfarë suksesi ky! Sukses që vjen si rrjedhojë e shumë e shumë viteve me shumë punë, por edhe përkushtimi për këtë objektiv të përbashkët dhe ju keni treguar vizion, durim dhe këto gjëra po tregojnë tashmë rezultatet e tyre
Sipas shefes së KE Shqipëria po tregon që gjërat kanë ecur shpejt.
Ursula von der Leyen: Me Shqipërinë kemi një shembull vërtet të shkëlqyer, gjerat kanë ecur shpejt dhe nëse gjërat do të ecin siç duhet, ne ndoshta do të hapim të gjithë grup-kapitujt deri në fund të vitit të ardhshëm.
Rama komentoi protestën e opozitës që u zhvillua para Parlamentit Europian në Strasburg.
Edi Rama: Duhen dy për një tango, thotë një fjalë. Kështu që, nëse nuk ka një dyshe për një tango, atëherë ka vetëm një muzikë që është muzika e BE dhe muzika e BE është shkruar në mijëra partitura me detyra konkrete, me afate konkrete, me monitorim shumë të imtësishëm të këtyre detyrave dhe patjetër dhe me rezultate konkrete.
Rama ka deklaruar se arrestimi i Ilir Metës është një rast që i përket drejtësisë. Von Der Leyen u shpreh se nuk komenton vendimet gjyqësore, duke shtuar më tej se BE punon me Shqipërinë për reformën gjyqësore, por kjo nuk ka të bëje me çështje individuale.
Edi Rama: Qysh se ne e kemi nisur reformën në drejtësi dhe ajo ka filluar të zbatohet, as unë dhe as forca politike që un udhëheq, nuk bën komente për çështje që i takojnë drejtësisë. Kur ndodh që çështjet të përmbyllen, mbase në ndonjë rast ia vlen të bëhet edhe ndonjë koment, sidomos kur vihet në vend drejtësia lidhur me fenomene katastrofike për shoqërinë, siç është shpifja. Për rastin konkret është tipikisht një rast që i takon vetëm drejtësisë.
Sipas Von Der Leyen ajo nuk jep afate pasi procesi i integrimit në BE varet nga merita dhe puna e çdo vendi.
Klan News