Vlora do të shndërrohet në portin më të rëndësishëm për transportin të kontenierëve në Adriatik. Në këtë përfundim del kompania kanadeze Ocean Shipping Consultants, që pas një studimi të thelluar vlerëson se porti i Vlorës brenda disa vitesh do të arrijë kapacitetet përpunuese të ngjashme me ato të portit të Koperit në Slloveni, aktualisht porti kryesor në Adriatikun  verior.

Për Osman Metallën deputet, njëkohësisht ekspert për transportin detar, një gjë e tillë është mese e realizueshme.

Osman Metalla: “Porti i Koperit është në vendin e parë, por në një të ardhme jo shumë të largët le të themi 7 deri ne 10  vjet nga tani që po flasim, port i Vlorës do të jetë një nga qendrat kryesore të lëvrimit të kontenierëve në detin Adriatik. Mendohet të jetë port me kapacitete të konsiderueshme të përpunimit të kontenierëve brenda një viti. Përpunohen rreth 3 milion TI-JU që janë njësi e matjes të kontenierëve”.

Koncesioni për ndërtimin e portit të kontenierëve në Vlorë, një investim prej rreth 500 milion eurosh, i është besuar tashmë një kompanie Anglo-Zvicerane.

Ylli Paja: “Kompania Zumax momentalisht është në fazën e negociatave të kontratës për portin e kontenierëve në Vlorë dhe ndërtimi i këtij porti do të zgjasë 2 vjet. Në vitin 2012 operatorët e kontenierëve do të sjellin anijet e para për të operuar nga porti i Vlorës”.

Port i kontenierëve kombinuar me një zonë të lirë ekonomike do të jenë motor ekonomik jo vetëm për Vlorën, por për mbarë vendin.

Osman Metalla: “Përbri portit të kontenierëve do të zhvillohet dhe zona e lirë, zona ekonomike në të cilën do të gjenerohen një seri biznesesh të ndryshme, çka do të rriste mundësitë e punësimit për qytetarët e Vlorës dhe pse jo edhe qytetarët e tjerë të vendit, pasi ky port do të jetë një gjenerues shumë i madh i vendeve të punës”.

Në funksion të këtij porti do të vihen edhe infrastruktura rrugore dhe ajo hekurudhore, për të mundësuar transportin e mallrave nga Vlora drejt rajonit./tvklan.al