Ardian Kollozi: “Vetë Komisioni Zonal Zgjedhor ka firmosur në një proces verbal ku kanë firmosur të gjithë për mos numërimin e këtyre 6 kutive që ju i shikoni mbrapa shpinës time. Për arsye të ndryshme, diku fletë tepër, diku fletë votimi të firmosura nga mbrapa. Diku asnjë fletë votimi me numrat e identifikimit të kartave të identitetit apo të pasaportave. Parregullsi të tjera për të cilat Kodi Zgjedhor i përjashton dhe shprehet qartë për pamundësinë e vazhdimit të numërimit të votave. Vetë komisioni zonal zgjedhor ka marrë vendimin për mos numërimin e tyre, ndërkohë tani në përfundim të procesit kujtohen që janë edhe këto 6 kuti. Të cilat përpiqen t’i numërojnë duke shfrytëzuar faktin që  numri i KZAZ-së në të cilin ne ndodhemi është numër tek, shumicën e ka opozita, na duket një non senc. Për ne procesi i votimit ka përfunduar, ne tashmë kemi 80 proces verbale të 80 qendrave të votimit. Mungojnë natyrisht 6 proces verbale të këtyre kutive të cilat vetë komisioni zonal zgjedhor me një proces verbal të firmosur nga të gjithë ka vendosur mos të hapen. Çdo përpjekje që mund të bëhet nga tani e tutje konsiderohet shkelje ligji nga ne.”

Shpëtim Gjika: “Ajo çfarë pretendojmë ne si përfaqësues të Partisë Socialiste nuk ka të bëjë as me urdhër ndaj komisionit zonal, as me ndonjë interes apo dëshirë tonën të veçantë që të detyrojë këtë komision apo numëruesit për t’i numëruar këto kuti votimi. Ne absolutisht kërkojmë që komisioni zonal të ulet, të marri vendimin përkatës dhe ne jemi gati për të zbatuar çdo vendim ligjor të  këtij komisioni. Dhe këtë ja kam kërkuar zotit Kollozi edhe miqësisht, me qëllim që mos ta prishim këtë proces, të vazhdojë numërimi dhe është kompetencë e komisionit zonal që do të vendosë. A duhet apo nuk duhet që një kuti votimi të hapet? Kjo nuk është as në dëshirën e zotit Kollozi dhe as në dëshirën e zotit Gjika për të vazhduar apo për të penguar procesin. Është hapur kutia e votimit dhe numëruesit kanë gjetur që një fletë votimi apo disa fletë votimi, janë të firmosura përveç 2 vulave të kryetarit dhe sekretarit kanë dhe firmën e anëtarit të komisionit, ndoshta mund të jetë kryetari apo sekretari dhe numëruesi ka vendosur që kjo kuti është e pavlefshme. Kjo është absolutisht antiligjore sepse numëruesi nuk vendos, numëruesi vetëm numëron.”/tvklan.al