Partia Socialiste ndodhet ne prag te zgjidhjesh radikale për mos pjesëmarrje ose jo në kuvend për t’ia mbërritur qëllimit të zgjedhjeve të parakohshme. Zgjidhje që në çdo rast do të duhet të motivoheshin nga një qëndrim konstant pa devijime thelbësore të lidershipit të kësaj force politike. Faktet tregojnë se kjo nuk ka ndodhur.
Mbyllja e procesit të votimit në të gjithë vendin në 28 qershor për herë të parë në historinë e zhvillimit të zgjedhjeve në Shqipëri shënoi një standard, forca me e madhe në opozitë në këtë rast Partia Socialiste, vlerëson procesin. Rama në 28 qershor theksoi, se pavarësisht disa detajeve të papëlqyera në përgjithësi u realizua objektivi i garantimit të procesit.
Edi Rama: “Dua të theksoj se pavarësisht një sërë parregullsish dhe detajesh të pa pëlqyeshme të vëna re në pjesë të ndryshme të Shqipërisë në tërësi u realizua objektivi i garantimit të procesit, garantimit të qetësisë dhe të normalitetit demokratik për qytetarë e qytetare që vërshuan në masë drejt kutisë së fshehtë dhe nga ana tjetër jam plotësisht i kënaqur që për këtë pjesë të parë të procesit mbajtëm fjalën e dhënë qytetarëve e qytetareve, duke e mbrojtur procesin dhe duke qenë një vlerë e shtuar në tërësinë e masave të marra. Ku hiri ti të vërtetës e kërkon që të nënvizojë se nuk mund të themi të paktën deri në këtë moment që policia e shtetit nuk ishte në lartësinë e detyrës.”
E thënë kjo në 28 qershor, pas përfundimit të procesit askush skish dyshimin se për herë të parë, palët e futura në garë do të pranonin rezultatin ashtu siç ishte.
Por me fillimin e procesit të numërimit te votave, kryetari i Partisë Socialiste ndryshon tërësisht qëndrim. Rama i jep gjithnjë e më shume zë deklarimeve për një proces të manipuluar duke rritur dozën e kërcënimeve për mosnjohje te rezultatit të këtyre zgjedhjeve.
Edi Rama: “Ky është një proces i cili për një sërë arsyesh është dëmtuar rëndë në cilësinë e tij.”
Tashme që rezultati përfundimtar është shpallur zyrtarisht dhe është dekretuar data e thirrjes së kuvendit te ri, Rama ka dalë me një tjetër tezë atë të intimidimit të zgjedhësve gjatë fushatës elektorale si dhe ditën e votimit. Rama i dërgoi madje dhe një letër presidentit të republikës ku shkruan.
Më lejoni të ndaj me ju shqetësimin serioz se zgjedhjet e 28 qershorit jo vetëm që nuk plotësuan aspiratën dhe nevojën e Shqipërisë për përmbushjen e standardeve evropiane të lirisë dhe ndershmërisë së tyre, por nxorën ndër të tjera në pah dhe një problem mprehtësish kërcënues për demokracinë dhe shtetin ligjor në vend. Ky problem ka lindur prej shkeljes flagrante të ligjit nga autoritete të larta shtetërore që kanë mundësuar në periudhën e fushatës elektorale nxjerrjen prej burgjeve të personave shoqërisht të rrezikshëm jashtë të gjitha kushteve të parashkruara me ligj për dhënien e lejeve të përkohshme..
Kjo letër drejtuar kryetarit të shtetit ishte shoqëruar më herët dhe nga një sërë deklaratash publike ku Rama sikundër dhe shprehej fliste për një lukuni kriminelësh të vënë në dispozicion të pushtetit për të ushtruar autoritetin e tyre mafioz në të gjitha zonat e tyre të influencës dhe për të dekurajuar votuesit opozitarë me metoda mafioze. Përpara këtij fakti sipas pas tij nuk mund të heshtet.
Në të dyja këto qëndrime të njëjta në thelb ajo çfarë bie në sy është se Rama i referohet pikërisht dy momenteve, fushatës zgjedhore dhe procesit të votimit. Në këto dy momente sipas tij u përgatit ajo që sot Rama e quan krim elektoral. Por ajo çfarë kontraston fort është deklarata e Edi Ramës në 28 qershor. Rama vlerëson pikërisht përfundimin e procesit të votimit. Flet për standarde dhe një proces të garantuar…/tvklan.al
Gazetare: Menada Zaimi