Presidentja e Komisionit Europian Ursula von der Leyen është e bindur se Serbia do të përparojë drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian gjatë mandatit të saj të ardhshëm.

Teksa vizitoi Beogradin, Von der Leyen tha se integrimi ekonomik i Serbisë me bllokun tashmë është duke u zhvilluar pjesërisht me Planin e Rritjes së BE-së për Ballkanin Perëndimor dhe përmendi sundimin e ligjit, sistemin gjyqësor dhe përafrimin me politikat e tjera të BE-së si fusha ku diskutimet janë në vazhdim.

Serbia po luan me dy porta, nga njëra anë me BE-në dhe në anën tjetër mban lidhje me Rusinë, nga e cila është e varur për gazin. Gjithashtu Rusinë e ka aleate për të kundërshtuar pavarësinë e Kosovës.

Presidenti serb Aleksandar Vuçiç tha në gusht se vendi i tij nuk ka gjasa të hyjë në Bashkimin Europian në vitin 2028, një datë e synuar nga disa vende të tjera të Ballkanit Perëndimor. Më herët Vuçiç ka lënë të kuptohet se ai mund të braktisë anëtarësimin në BE dhe të fokusohet tek marrëdhëniet me vendet e BRICS-it.

Serbia duhet të normalizojë marrëdhëniet me Kosovën para se të mund të anëtarësohet në BE. Von der Leyen më pas do të vizitojë Prishtinën dhe do të takohet me liderët e Kosovës.

Klan News