Kreu i Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi shprehet se fletët e votimit nga diaspora të ardhura me vonesë nuk do të përfshihen në proces.

I ftuar në emisionin “Opinion” në Tv Klan teksa u pyet në lidhje me faktin që nëse numri i fletëve të ardhura me vonesë do të jetë më i madh se i atyre të ardhura në kohë, a do të konsiderohen të vlefshme, Celibashi u shpreh se këto fletë do të jenë të pavlefshme.

Celibashi u shpreh se zarfet e ardhura nga diaspora do të administrohen në ambientet e KQZ nën monitorimin e partive, mediave si dhe kamerave.

Ilirjan Celibashi: Zarfet do të administrohen në KQZ sipas një protokolli të caktuar sigurie, me transaprencë, me mbikqyrje të partive, organizatave, medias, kamerave, dhe procesi i numërimit të këtyre fletëve do të fillojë kur fillon procesi i numërimit dhe i vlerësimit këtu në Shqipëri.

Redi Shehu: Nëse numri i fletëve të ardhura me vonesë është më i madh se numri i atyre të ardhura në kohë a nuk do të merret në konsideratë?

Ilirjan Celibashi: Nëse vula e parë që merr dërgesa postare në territorin e Republikës së Shqipërisë sipas të gjitha protokolleve ndërkombëtare mban datën 11 Maj ora 19 e 1 sekond nuk përfshihet në këtë proces. E ka përcaktuar kodi zgjedhor.

Blendi Fevziu: A dorëzon Shqipëria një pjesë edhe të sigurisë së saj kombëtare me këtë lloj votimi edhe me zarf sepse ne mund të kemi 600-700 mijë emigrantë në Greqi. Çfarë ndodh nëse në një moment konflikti me Greqinë që ne i kemi të shpeshta shërbimi sekret grek i merr zarfet dhe i hedh në plehra.

Ilirjan Celibashi: Si do t’i marri se fleta e votimit i shkon në dorë çdo individi. Është operatori i shërbimit postar, ai do t’i përgjigjet detyrimeve kontraktuale.

/tvklan.al