Gjykata e Lartë ka mbetur me një anëtar më pak prej të paktën një viti.
Televizioni Klan ka siguruar disa dokumente që vërtetojnë se ish-anëtarit të saj, Kristaq Ngjelës, i ka përfunduar mandati në Qershor të vitit të kaluar, kohë kur ai ka dalë në pension, por dekreti për zëvendësimin e tij është përcjellë në kuvend më 12 Maj të vitit 2008 rreth 11 muaj me vonesë.
Edhe anëtari tjetër, Ylvi Myrtja, i ka përfunduar mandati më 25 Janar të këtij viti, ndërsa propozimi ka ardhur në kuvend më 12 Maj të 2008-tës, pra me katër muaj vonesë.
Po kështu edhe tre ish-gjyqtarë të tjerë, Nikoleta Kita, Artan Hoxha dhe Agron Lamaj, mandatet u kanë mbaruar më 20 Maj të vitit 2008 dhe dekretet për plotësimin e këtyre vendeve mbajnë datën e 22 Majit 2008.
Ish-kreut të Gjykatës së Lartë, Thimio Kondit, mandati i përfundoi më 6 Qershor 2008, por në kuvend nuk ka mbërritur ende dekreti me kandidaturën për zëvendësimin e tij.
Pra duket qartë se procedurat për zëvendësimin e anëtarëve të Gjykatës së Lartë kanë nisur me vonesë në të gjitha rastet.
Fillimi në kohë i këtij procesi do të kishte shmangur edhe situatën e vështirë të krijuar në këtë institucion të mbetur me 10 anëtarë, ku dy kolegjet e bashkuar të saj e kanë thuajse të pamundur të realizojnë gjykimin e çështjeve të ndryshme./tvklan.al
Gazetar: Drini Zeqo