Këshilli Koordinues i Diasporës ka mbajtur në Tiranë takimin e tij të 4. Tregues ky, për Kryeministrin që përshëndeti takimin i faktit se mazhoranca e tij ka mbështetur ngritjen dhe fuqizimin institucional të shqiptarëve që jetojnë jashtë. E padyshim Rama krahasimin e bën me 12 vite më parë kur qeverisnin të djathtë.

“Kur ne morëm detyrën ishte një shkretëtirë në marrëdhëniet mes shtetit dhe diasporës në aspektin e një ngrehine institucionale që mundësonte një marrëdhënie të kanalizuar përmes institucioneve në funksion të mbështetjes së shqiptarëve jashtë atdheut. Ne ndërtuam një proces, ndërtuam një strategji dhe sot jemi në kushtet kur funksionojmë me një strategji kombëtare të diasporës”.

Kryeministri i njeh shumicës që drejton dhe meritën për ndryshimin e imazhit të Shqipërisë dhe emrit të shqiptarëve në sytë e botës. Në këtë rast si provë  Rama përmend besimin që kanë krerët e institucioneve të rëndësishme ndërkombëtare për të zhvilluar samite e takime vjetore në Tiranë. Një prej tyre do të jetë dhe samiti i NATO-s në 2027 që ai tregon se ka marrë dhe vlerësimin e një ekipi monitorues nga aleanca.

“Erdhi një mision i NATO-s për të inspektuar kushtet dhe për të dhënë një vlerësim lidhur me sa është e gatshme Shqipëria të mik presë samitin e NATO-s në vitin 2027 dhe përshtypjet e misionit të inspektimit dhe raporti i tyre është i tillë që do të ishte e paimagjinueshme jo shumë vite më parë, që ta lexojë dhe të mendojë që këtu po flitet për Shqipërinë”.

Edhe votën e emigrantëve e vlerëson si një arritje të shumicës socialiste, ndërsa ia njeh meritën dhe Këshillit të Diasporës për shtysën për ta bërë realitet në 2025.

Veçon përpjekjet e përbashkëta me qeverinë e Kosovës për Abetaren e përbashkët dhe tekstet e unifikuara për fëmijët shqiptarë që jetojnë jashtë. Një tjetër hap për të lehtësuar procedurat për akses në shërbime vlerëson e-Albanian dhe lajmëron risinë që do të ofrohet nga viti i ardhshëm në këtë platformë.

Mes arritjeve Rama pranon dhe një defekt, për të cilin spikasin kryesisht sipas tij punonjësit e Ministrisë së Jashtme, ritmin burokratik që ai beson se është i trashëguar nga koha kur lulëzonin marrëdhëniet me ish-Bashkimin Sovjetik.

Sa herë vij më duket sikur në fund të korridorit do më shfaqet përfaqësuesi i ambasadës Sovjetike, si një prani e një burokracie dhe e një kohe kur ritmi ishte tërësisht tjetër”.

Kryeministri lajmëron se Gjermani ka hequr dore nga kufizimi për të mbajtur vetëm një shtetësi, ndaj rastin e kërkesave për rimarrjen e shtetësisë nga shqiptarët që jetojnë në Gjermani shpejtësia të jetë prioritet.

Tv Klan