Vrasja e 30-vjeçarit Kristian Marku nga Rrësheni, i cili u ekzekutua të hënën në autostradën Fier-Vlorë, dyshohet se ka ardhur për shkak të hakmarrjes. Megjithatë, policia nuk ka dalë ende në një konkluzion përfundimtar dhe për këtë arsye janë disa pyetje që shtrohen në lidhje me këtë ngjarje.
Çfarë do të bënte Marku në Vlorë natën e ekzekutimit? Kë do takonte ai dhe kë ka takuar më herët?
Marku, njihej edhe me mbiemrin Bardhi. Ai dyshohet se u nxorr në pritë dhe u qëllua 11 herë në drejtim të tij.
Policia nuk përjashton faktin se ekzekutimi mund të jetë kryer nga persona në Vlorë për llogari të bandave në Rrëshen.
“Pra një lloj marrëveshje mes bandave kriminale që kanë sjellë deri në kryerjen e këtij atentati mafioz kaq të mirëmenduar. Ajo për të cilën edhe Policia e Vlorës dyshon është pikërisht që nuk përjashton faktin se ekzekutori mund të ketë qenë nga Vlora, i cili ka bashkëpunuar me një bandë kriminale në Rrëshen, me të cilën Marku ka qenë në hasmëri. Kjo të çon pikërisht në këtë dyshim nga mënyra e organizimit të atentatit pasi atentatorët e kanë njohur mirë zonën për shkak të mënyrës së shpejtë që janë larguar nga vendngjarja”, raportoi gazetarja Greta Haskaj.
Në automjetin ku udhëtonte viktima u gjet edhe telefoni i tij celular, i sekuestruar tashmë. Tabulatet telefonike mund të zbulojnë personat që kanë kontaktuar me të para atentatit. Po ashtu, sipas gazetares, në Rrëshen të Mirditës janë kryer kontrolle në disa banesa, megjithatë, deri më tani nuk ka asnjë të arrestuar për ngjarjen./tvklan.al