Lajmi i vrasjes së 14-vjeçarit në shkollën “Fan Noli” nga bashkëmoshatari i tij ka qenë ngjarja më shokuese e ditëve të fundit. Tragjedia në vetvete është një pjesë e saj, teksa nga ana tjetër ka ndezur  diskutimin e dhunës te të rinjtë, rritjen e një brezi agresiv, problemet familjare, psiko-sociale, rolin e shkollës e institucioneve dhe mbi të gjitha pyetjen se pse asgjë nuk funksionoi.

Në nisje të “Gjeneratës Alfa”, pyetja e parë që  drejtuesi i së “Dielës Shqiptare” në Tv Klan, Ardit Gjebrea u bëri të rinjve ishte të përshkruanin si ishte kjo javë për ta. Ndërsa shprehën trishtimin, ata nuk fshehën një të vërtetë tronditëse: për ta, fenomene të tilla janë të njohura.

Ardit Gjebrea: Do doja t’ju pyes, çfarë përjetoni ju kur përballeni me të tilla lajme, si ka qenë kjo javë për ju?

Reivis: Ka qenë vërtet një lajm shumë i tmerrshëm Ardit që na ka tronditur të gjithëve. Raste të tilla  kanë ndodhur dhe ne jemi të familjarizuar, fatkeqësisht me fenomene të tilla por jo në një moshë kaq të vogël, që në klasë të  8, 9, mosha 14-vjeçare.

Ardit Gjebrea: Ç’domethënë të jesh i familjarizuar me fenomene të tilla?

Reivis: Po se raste të tilla nukë shtë hera e parë që ndodhin në shoqërinë tonë në Shqipëri dhe kudo në botë.

Ardit Gjebrea: Dhe familjarizohesh?

Reivis: Nuk është hera e parë që një gjë e tillë ndodh dhe është tronditëse për këtë fakt, por është tronditëse që ka ardhur në një moshë shumë të vogël që nuk supozohet të ketë njohuri mbi këto fenomene dhe të arrijë të përplasen fizikishte me thika me njëri-tjetrin.

Mendimit të Reivisit i bashkohet edhe Ilda.

Ilda: Për t’i kthyer edhe njëherë përgjigje pyetjes që ju bëtë “a jeni të familjarizuar?”, ne jemi. Pra, të dëgjosh një lajm shokues dhe të mos shokohesh, është e tmerrshme. Ju pyetët edhe si e diskutojmë në familjet tona këtë rast apo këtë lajm. Më të shokuar janë prindërit se ne. Ne jemi shumë pranë këtyre sherreve që fatmirësisht jo gjithmonë përfundojnë në thika, por është shumë e tmerrshme që në familjen tonë akoma prindërit na pyesin ne si ka mundësi që ndodh një gjë e tillë dhe është prindi i pari që nuk kontrollon fëmijën sesi del, si sillet apo si konfrontohet me fëmiëjt e tjerë në shkollë. Në familjet tona sigurisht që diskutohet një gjë e tillë dhe shikohet ndonjëherë si rast i izoluar, por me shumë keqardhje e them që nuk është rast i izoluar dhe fatmirësisht nuk përfundon gjithmonë kështu, por nis gjithmonë kështu.

Ardit Gjebrea: Domethënë ju jetoni me këto sherre?

Ilda: Patjetër që jetojmë me këto sherre. Sherret që pse më pe shtrembër apo pse i fole asaj që e di unë që s’duhet  t’i flasësh, sherre të tilla të pakuptimta janë pjesë e përditshmërisë sonë fatkeqësisht./tvklan.al