Prokuroria e Posaçme ka mbyllur hetimet dhe ka dërguar për gjykim dosjen në ngarkim të 4 personave, të akuzuar për tentativën e vrasjes së Ervis Matodashajt dhe Inez Hajrullës. Atentati u parandalua në Gusht të vitit 2023, në kohën kur autoritetet policore arrestuan Amarildo Nikollin, i cili dyshohet se ishte personi që do të ekzekutonte planin me porosi të Leonard Luzit.
“Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, përfundoi hetimet dhe dërgoi në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, kërkesën për gjykim të procedimit penal nr.148/1, të vitit 2024, në ngarkim të të pandehurve Leonard Luzi ( Zejno, Sejno), Amarildo Nikolli (Xhanej), Muharem Koroveshi (alias Muharem Ismaili alias Muharem Myftaraj) dhe Erio Zejno, të akuzuar për veprat penale “Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje”, në dëm të shtetasve Ervis Matodashaj dhe Inez Hajrulla, “Mbajtje pa leje dhe prodhimi i armëve, armeve shpërthyese dhe i municionit”, kryer në bashkëpunimin e posaçëm atë të grupit të strukturuar kriminal, “Grupi i strukturuar kriminal”, dhe “Kryerja e veprave penale nga grupi i strukturuar kriminal dhe organizata kriminale”, thuhet në një njoftim për mediat të SPAK.
Sipas SPAK, hetimet provuan se vrasja e Matodashajt dhe Hajrullës, është porositur për hakmarrje dhe për marrjen në kontroll të lojërave të fatit. Pikënisja ishte në vitin 2013, kur në Vlorë u ekzekutua me armë zjarri Erigert Zejno. Për vrasjen e tij, në atë kohë, u vunë në pranga 3 persona, mes tyre edhe Ervis Matodashaj. Por të gjithë u lanë të lirë, për mungesë provash.
“Hetimet provuan se vrasja e shtetasve Ervis Matodashaj dhe Inez Hajrulla, është porositur për hakmarrje dhe për marrjen në kontroll të lojërave të fatit. Rezulton se në datën 22.03.2013, në qytetin e Vlorës, është vrarë me armë zjarri shtetasi Erigert Zejno. Në lidhje me këtë ngjarje në datën 17.08.2013, u krye arrestimi i shtetasve Ervis Matodashaj, Nadir Ferko dhe Altin Sejdiraj. Në datën 21.04.2014, Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Vlorë, ka vendosur pushimin e hetimeve për të hetuarit Ervis Matodashaj etj., për mungesë provash, dhe në datën 04.12.2014, hetimet e këtij procedimi janë pezulluar për zbulimin e autorëve”, thotë SPAK.
Leonard Luzi (Zejno), kushëri me viktimën Erigert Zejno, sipas SPAK, u financua për të vrarë Matodashajn dhe Hajrullën, nga një person i paidentifikuar.
“I pandehuri Leonard Luzi (Zejno), i dërguar për gjykim, është kushëri nga ana e babait me shtetasin Erigert Ferik Zejno, vrarë më datë 22.03.2013, në lagjen “11 Janari”, Vlorë. Hetimet provuan se i pandehuri Leonard Luzi, është financuar nga një person ende i paidentifikuar për të kryer vrasjet e dy shtetasve Ervis Matodashaj dhe Inez Hajrulla”, vijon SPAK.
E për të ekzekutuar dyshen, Leonard Luzi krijoi një grup të strukturuar kriminal, me pjesëtarë të pandehurit: Amarildo Nikolli, Muharem Koroveshi, dhe Erio Zejno. Gjithçka ishte gati, por ndërhyrja e policisë bëri që ky atentat të dështonte.
“Për këtë qëllim, i pandehuri Leonard Luzi, ka krijuar një grup të strukturuar kriminal, pjesë e të cilit janë i pandehuri Amarildo Nikolli, që do të ishte ekzekutori material i veprës penale, si dhe të pandehurit Muharem Koroveshi, dhe Erio Zejno, në rolin e ndihmësit. Të pandehurit Muharem Koroveshi, dhe Erio Zejno, kanë sjellë armët në banesën e të pandehurit Amarildo Nikolli në Vlorë, kanë ndihmuar në terren me gjetjen e personave të cilët ishin objektiv i atentatit, si dhe do të ndihmonin ekzekutorin Amarildo Nikolli, në largimin nga vendi i ngjarjes (pas kryerjes së vrasjes). Vrasja e shtetasve Ervis Matodashaj dhe Inez Hajrulla, nuk u bë e mundur, pasi në datën 07.08.2023, në orën 12:47, në lagjen “Uji Ftohtë”, në qytetin e Vlorës, gjatë kontrollit fizik kryer ndaj të pandehurit Amarildo Nikolli, nga shërbimet e policisë të Sektorit “Fast Albania”, i janë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale: një pistoletë e markës Pietro Beretta, Mod 92 FS, cal.9, me një silenciator, me karikator të mbushur me 14 (katërmbëdhjetë) fishekë, të kalibrit 9 mm, si dhe një fishek i futur në folenë e qitjes. Ka rezultuar se ditën e arrestimit të tij, i pandehuri Amarildo Nikolli, kishte dalë pikërisht për të finalizuar krimin e porositur prej të pandehurit Leonard Luzi”, thuhet më tej në njoftimin e Prokurorisë së Posaçme.
SPAK thotë se vazhdojnë hetimet në kuadër të një procedimi penal të ndarë, i cili synon zbulimin e bashkëpunëtorëve të tjerë në kryerjen e veprave penale./tvklan.al