Ish-Deputeti i partisë socialiste, Koço Kokëdhima akuzoi të premten kryetarin e Partisë Socialiste, Edi Rama, si përgjegjës për heqjen e mandatit të tij të deputetit.

“Edi Rama ka përgjegjësi të drejtpërdrejtë në goditjen e paligjshme të mandatit tim. Mandati im u hoq në mënyrë komplotuese. Heqja e mandatit tim ishte vazhdim i luftës politike brenda partisë Socialiste me mjete, instrumente dhe mënyrë të tjera nga jashtë partisë,” tha Kokëdhima gjatë një interviste për Arian Canin në “Zonë e Lirë”, të titulluar “’Vrasja e atit’ në politikë”.

Por, Kokëdhima tha se nuk ishte pezmatuar.

“Kam pasur vetëm interesin politik, interesin e kulturës politike dhe të pasojave që ka në jetën e Partisë Socialiste, në jetën e së majtës, jetën politike të Shqipërisë vepra dhe veprime të tilla.”

“Të gjitha këto janë dëshmi e gjendjes dhe e kulturës sunduese në partinë Socialiste dhe në partitë e tjera në Shqipëri,” tha ai.

“Zgjidhja ka ardhur si nevojë,” tha ai duke folur për lëvizjen e tij brenda Partisë Socialiste, por që Kryeministri Edi Rama e ka cilësuar si një lëvizje jashtë Partisë Socialiste. /tvklan.al

“Zgjidhja nuk është një artificë, nuk është as një konjukturë e fshehtë, as një zhvillim komplotist, nuk ka asnjë qëllim të fshehtë…” tha Kokëdhima. /tvklan.al