Prokuroria e Durrësit do të bëjë eksperimente hetimore për të përcaktuar se cili nga fëmijët Hygerta apo Hysen Meta qëlloi me 4 plumba në drejtim të babit të tyre Pëllumb Meta. Ky vendim është marrë për shkak të dëshmive kontradiktore që kanë dhënë fëmijët gjatë hetimeve paraprake.
Policia kriminale në Durrës është duke kryer eksperimente hetimore edhe në banesën e familjes Meta për të përcaktuar këndin e qitjes dhe mënyrën si kanë vepruar fëmijët.
Hygerta Meta do të dërgohet nga hetuesit në poligon, do t’i jepet një pistoletë TT, e njëjtë me atë që u përdorë në vrasjen e Pëllumb Metës.
Eksperimenti tjetër ka të bëj me mënyrën si u hap gropa ku u gjet i varrosur kryefamiljari Meta dhe kohën që mund të duhet për të hapur një gropë të atyre përmasave.
Gjithashtu burime për Klan News kanë konfirmuar për grupin hetimor, se viktima dhe djali i madh Hyseni kanë pasur debate të vazhdueshme pasi ky i fundit nuk punonte. Po ashtu Pëllumb Meta ju kishte thënë fëmijëve se do të shiste tokën që ndodhej në zonën industriale dhe atyre nuk do t’u jepte.
Vajza e madhe e familjes në dëshminë që ka dhënë para hetuesive ka shpjeguar se babi ishte autoritar duke mos përmendur në asnjë moment dhunën.
Ajo prej disa ditësh po jeton me nënën e saj tek shtëpia e gjyshërve, pasi është ndarë nga bashkëshorti me të cilin ishte e fejuar prej 3 vitesh.
Gjykata e Durrësit ka caktuar masën e sigurisë arrest në burg për Hysen, Hygerta dhe Amarildo Metën.
Ky i fundit akuzohet vetëm për fshehje të kufomës. Ndërsa 25-vjeçari dhe 19-vjeçarja akuzohen edhe për “vrasje për shkak të marrëdhënieve familjare”.
Klan News