Këtë të martë nis procesi gjyqësor në lidhje me vrasjen e ndodhur një vit më parë në Shënavlash të Durrësit e që tronditi mbarë opinionin publik. Bëhet fjalë për vrasjen e Pëllumb Metës, i cili dyshohet se u vra nga tre fëmijët e tij, tashmë të arrestuar.

Sipas burimeve nga mbrojtja e të akuzuarve për gazetaren Enkeleda Arapi, Prokuroria e Durrësit ka ndryshuar akuzën ndaj vajzës së tij, Hygerta Metës.

Ajo akuzohet se së bashku me vëllain e saj të madh, Hysen Meta kanë kryer vrasjen e babait të tyre, duke fshehur dhe asgjësuar kufomën për të mbuluar krimin.

Fillimisht, 19-vjeçarja ishte akuzuar vetëm për “fshehje dhe asgjësim të kufomës”, por tashmë akuza është rënduar në “vrasje për shkak të marrëdhënieve familjare”. E njëjta akuzë rëndon edhe ndaj vëllait të saj të madh, Hysenit.

Gjatë hetimeve, Hygerta Meta ka ndryshuar disa herë dëshminë e saj.

Në fillim, ajo pranoi të ishte autorja e krimit, por më vonë përjashtoi veten nga përfshirja në vrasje, duke pranuar vetëm fshehjen dhe asgjësimin e trupit të pajetë.

I arrestuar për ngjarjen është dhe vëllai tjetër i tyre, Amarildo Meta. /tvklan.al