Dy vëllezërit Shkëlqim dhe Florjan Duka kanë heshtur përpara grupit hetimor të Policisë së Tiranës në lidhje me vrasjen e sipërmarrësit Eduart Reçi.
Burime për gazetarin e Klan News Besar Bajraktari kanë bërë me dije se i dyshuari kryesor, Shkëlqim Duka, njëkohësisht oficer policie në Komisariatin Nr.2, nuk ka pranuar të japë asnjë deklaratë para kolegëve të tij që po hetojnë vrasjen.
Ndërsa i vëllai Florian Duka ka mohuar të ketë dijeni apo lidhje me ekzekutimin e biznesmenit. Ata janë marrë në pyetje veçmas njëri-tjetrit.
Pavarësisht mohimit të përfshirjes në ngjarje, policia thotë se ka prova të mjaftueshme që i implikojnë ata në krim.
Hetuesit kishin marrë informacion në rrugë operative së Reçi kishte konflikte pronësie me dy vëllezërit.
Reçi ishte i angazhuar në ndërtimin e pallateve. Ndërkohë, aty pranë vendit ku ndodhi krimi, dy vëllezërit Duka kanë në pronësi një lokal. Pranë kësaj prone, sipërmarrësi Reçi synonte të ndërtonte një pallat.
Nga pamjet e kamerave të sigurisë ka rezultuar se Shkëlqim Duka e ka ruajtur biznesmenin 5 ditë para se të kryente krimit, duke u fiksuar nga kamerat përgjatë zonës.
Ditën e ngjarjes, kamerat kanë fiksuar se efektivi i policisë, Shkëlqim Duka, ka qëndruar në zonë që prej orës 19:00 e deri në orën 23:00 kur ndodhi edhe krimi.
Ai qëndronte i fshehur në shkallët e emergjencës së një hoteli pranë vendit ku ndodhi ngjarja.
/tvklan.al