Oficeri i policisë Shkëlqim Duka dhe i vëllai i tij, Florjan Duka, që shihni në pamje, u arrestuan si autor të vrasjes së biznesmenit Eduart Reçi në datën 13 Nëntor në zonën e Qytetit Studenti në Tiranë.
48-vjeçari pjesë e uniformave blu, ushtronte detyrën e tij si OPGJ në Komisariatin nr. 2 në kryeqytet dhe dyshohet të jetë edhe personi që ka kryer ekzekutimin me armë zjarri.
Shkak për konfliktin që çoi në vrasjen e 52-vjeçarit janë bërë përpjekjet e tij për të ndërtuar një pallat, ndërtimi i të cilit kërkonte bashkëpunim dhe dakordësim edhe me persona të tjerë, pronarë kufitarë.
Policia tha zyrtarisht se ndër personat me të cilët Eduart Reçi, kishte diskutuar lidhur me këtë problematikë dhe që ka pasur konflikt mbi pronësinë e truallit, janë vëllezërit Duka, të cilët aty kishin një biznes.
Të shtunën, në 23 Nëntor, policia ushtroi kontrolle në ambientet e lokalit dhe banesën e 2 vëllezërve. Në magazinën e biznesit të tyre u gjetën sende dhe materiale që kanë ndihmuar hetuesit në dokumentimin e vrasjes.
Mes tyre një armë zjarri pjesërisht e dëmtuar, gjashtë objekte cilindrike të ngjashme me silenciatorë me përmasa të ndryshme, pjesë dhe mekanizma të ndryshëm që përdoren për silenciatorët siç duket edhe në këto pamje.
Dy jelekë antiplumb dhe pajisje të ndryshme elektronike të cilat dokumentojnë veprimtarinë dhe dinamikën e autorëve të dyshuar të ngjarjes.
Tv Klan