Florin Krasniqi një pjesëtar i luftës në Kosovë i ardhur nga SHBA-ja dhe organizator i fondit “Vendlindja thërret” përmendi të hënën me emër një person si organizator të vrasjes së Ilir Konushevcit.
Ky person sipas tij është një njeri nga Tropoja, shitës i armëve Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Këto Krasniqi tha në emisionin “Zona B” të Baton Haxhiut.
Krasniqi tha, se e vërteta e vrasjes së Ilir Konushevcit është shumë e thjeshtë, por sipas tij është komplikuar për qëllime të caktuara.
Florin Krasniqi: “Organizimi i vrasjes së Ilir Konushevcit e ka bërë Belsim Demiri, një tropojan.”
Baton Haxhiu: “A je i sigurt?”
Florin Krasniqi: “100% i sigurt, Beslim Demiri.”
Krasniqi ua sheh për të madhe si shtetit të Kosovës ashtu edhe atij të Shqipërisë për mos hetim të gjithë këtij rasti. Ai edhe sot kërkon që kjo të bëhet sa më shpejt, por është pak skeptik për këtë për shkak se sipas tij njerëzit tashmë me peshë nuk duan të involvohen në këto gjëra.
Florin Krasniqi: “Njerëz me peshë nuk duan të vijnë para aktit akuzë, e jo pse ata drejtpërdrejt janë fajtor për vrasjen e Konushevcit,por se një gjyq i ardhëm do ti thirrte në përgjithësi.”
Roli i Ilir Konushevcit në luftën e Kosovës për Florin Krasniqin ishte më i madhi që ka pasur ndonjëherë dikush. Florin Krasniqi i mërguar në SHBA në vitin 1988 është personazhi kryesor i librit të gazetares Stejsi Sulivan, që flet për luftën e Kosovës./tvklan.al