Një 30-vjeçar, i identifikuar si Kristian Marku është ekzekutuar në një atentat mbrëmjen e kësaj të hëne, në autostradën Fier -Vlorë, në afërsi të fshatit Novoselë.

“Makina tip Volkswagen me të cilën ndodhej viktima mësohet se po qarkullonte nga Fieri drejt Vlorës ndërkohë që një automjet tjetër me persona ende të paidentifikuar i janë afruar duke kanë hapur zjarr në drejtim të tij duke e lënë të vdekur Kristian Markun”, raportoi gazetarja e Tv Klan Greta Haskaj.

30-vjeçari ka marrë disa plumba që i kanë shkaktuar vdekjen e menjëhershme, ndërsa makina me të cilën ai udhëtonte ka ecur ende për pak metra, duke u përplasur me trafikndarësen dhe dy automjete të tjera në rrugë.

Ky është edhe momenti kur trupi i viktimës është transportuar me ambulancë drejt morgut.

Policia gjatë këqyrjes së vendit të ngjarjes gjeti rreth 10 gëzhoja plumbash, ndërsa 300 metra larg gjeti duke u djegur një automjet tip Mercedez Benz me targa të vjedhura që dyshohet të jetë përdorur nga vrasësit.

Burimet policore dyshojnë se në këtë atentat mund të kenë marrë pjesë 3 autorë, të cilët janë ndihmuar nga persona të tjerë për tu larguar nga vendi i ngjarjes drejt Fierit.

Kristian Marku alias Kristi Bardhi nuk është një emër i panjohur për policinë. Ai është person me precedentë penalë për “Vrasje me dashje në bashkëpunim mbetur në tentative” dhe “Mbajtja pa leje e armëve të zjarrit dhe municionit luftarak”.

Ai është nipi i Martin Bardhit të vrarë në Rrëshen në Shtator të vitit 2023. 30-vjeçari dyshohet të jetë një nga autorët në ngjarjen e datës 26 Mars të 2023  ndodhur në Rrëshen, ku u qëllua  në drejtim të automjetit me të cilin lëvizte Saimir Reçi.

Për këtë ngjarje u vu në pranga Martin Bardhi, ndërsa në kërkim u shpallën djali i tij, Enrik Bardhi dhe nipi Kristian Marku, i cili u vra këtë të hënë.

E pikërisht një nga pistat kryesore ku po heton policia është ajo e përplasjeve mes dy familjeve Reçi dhe Bardhi në Mirditë, ndaj mbrëmjen e kësaj të hëne kontrolle janë kryer edhe në Mirditë, ndërsa mësohet se policia shoqëroi në komisariat edhe një shtetas me inicialet M.R.

Tv Klan