Gjykata cakton ekspertët. Shtyhet seanca ndaj Arbër Paplekajt

Gjykata e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm pasi pranoi rihapjen e procesit gjyqësor për Arbër Paplekajn, vendosi që të rindërtohet skena e krimit, ku mbeti i vrarë Pjerin Xhuvani. Kjo do të bëhet nga një ekspert i Institutit të Policisë Shkencore, dhe dy ekspertë të pavarur. Konkretisht rindërtimi i skenës së krimit, do të bëhet nga Arjan Hanko, pranë Institutit të Policisë Shkencore, Artan Rexhepi dhe Shpëtim Buda ekspertë të pavarur.

Ekspertët duhet të përcaktojnë drejtimin e qitjes së armëve ditën e ngjarjes, distancën dhe pozicionet nga është qëlluar. Gjatë seancës gjyqësore eksperti i policisë së shtetit tha se nuk mund të marrë pjesë në këtë proces, pasi është i specializuar për gjurmët papilare dhe jo balistike.

Tashmë gjykata do të duhet të njoftojë edhe Policinë e Shtetit për mbështetje kur të vendoset dita e rindërtimit të vendit të ngjarjes nga ekspertët. Rindërtimi i skenës së krimit u kërkua nga vetë ish-polici Arbër Paplekaj, i cili kërkoi rikualifikim të veprës penale nga vrasje me dashje në vrasje në kushtet e tronditjes së fortë psikike.

Në seancën e të hënës, togat e zeza të apelit kërkuan informacione shtesë prokurorisë së Elbasanit për pushimin e çështjes ndaj Kelmend Xhaferrit, dhe procedimin ndaj Mehmet Grecës. Seanca e radhës u caktua në 9 prill.

Arbër Paplekaj, është dënuar me 22 vite burg nga Shkalla e Parë për vrasjen e Pjerin Xhuvanit në prill të 2021 pak ditë para zgjedhjeve parlamentare.

Klan News