Dy burgime të përjetshme dhe 150 vite burg ka dhënë Gjykata e Krimeve të Rënda për 11 personat e grupit nga Lazarati, të akuzuar për sulmin ndaj policisë në Qershor të 2015-ës, ku mbeti i vrarë efektivi i RENEA-s, Ibrahim Basha.
Burgim përjetë është dhënë për Arbjon Alikon dhe Bajram Bocian, që cilësohen si organizatorë të sulmit dhe ata që dyshohet se kanë qëlluar në drejtim të furgonit ku ndodhej Basha dhe 6 kolegë të tij.
Me 35 vite heqje lirie u dënua Elvis Bocia dhe 18 u dhanë për Elson Kazmën si pjesëmarrës në sulm. Për Dervish Gabën, Luan Hirjan dhe Iljaz Xhaferrajn u dhanë 15 vite burgim. 20 vite u dhanë për Albion Alikon, 10 për Xhulio Malon, 9 për Oltjon Prokon dhe 13 për Klodian Selimin.
Seanca u zhvillua nën masa të rrepta sigurie, ku nuk mungoi tensioni nga familjaret e të akuzuarve, të cilët kundërshtuan ashpër vendimin. Ata u nxorrën jashtë nga forcat e policisë të cilat ishin të shumta në seancën e kësaj të mërkure.
Tv Klan