Djali i një çifti aktorësh spanjollë është dënuar me burgim të përjetshëm në Tajlandë për vrasje dhe fshehje të kufomës.

Daniel Sancho është djali i aktorëve Rodolfo Sancho dhe Silvia Bronchalo. Gjykata tajlandeze e dënoi atë me burgim të përjetshëm për vrasjen e një 44-vjeçari në ishullin turistik Koh Phangan.

Por Daniel mohoi vrasjen me paramendim. Ai pranoi vetëm krimin e fshehjes së trupit të viktimës.

Të dy prindërit ndoqën seancën gjyqësore në Tajlandë.

Gjykata dha fillimisht dënim me vdekje për Daniel Sancho, por e ndryshoi më vonë në burgim të përjetshëm për shkak të bashkëpunimit gjatë gjyqit të të pandehurit.

Daniel Sancho 30 vjeç, me profesion kuzhinier, u shpall fajtor për vrasjen e Edwin Arrieta Arteaga 44 vjeç, kirurg plastik nga Kolumbia. Krimi ka ndodhur në Gushtin e vitit 2023, kur të dy ishin për pushime në ishullin tajlandez.

Gjatë gjyqit, Sancho pohoi se vrasja e kirurgut ishte akt vetëmbrojtje. Sipas tij, konflikti mes të dyve ndodhi pasi kirurgu tentoi ta ngacmonte seksualisht. Daniel Sancho deklaroi se gjatë konfrontimit fizik mes tyre, Arteaga goditi kokën teksa u rrëzua, gjë që i shkaktoi vdekjen. Më pas, trupin e 44-vjeçarit, Daniel Sancho e copëtoi dhe pjesët i zhduku në tokë e në det.

Ndërsa policia filipineze bëri të ditur variantin se Sancho e kishte planifikuar vrasjen për shkak se kirurgu e kërcënoi se do ta turpëronte përpara familjes duke zbuluar marrëdhënien e tyre të dyshuar homoseksuale.

Por Daniel Sancho, përmes avokatëve dhe babait të tij, tha se ky është version i shtrembëruar i policisë, si dhe mohoi marrëdhënien seksuale me kirurgun 44-vjeçar.

Por policia siguroi një video që tregonte 30-vjeçarin përpara vdekjes së 44-vjeçarit duke blerë një thikë, doreza, qese plehrash dhe solucione pastrimi, duke përforcuar akuzën e vrasjes me paramendim. /tvklan.al