Dy të dyshuarit për vrasjen e vajzës së mitur 2-vjeçare Danka Iliq në qytetin serb të Borit janë lënë në paraburgim. Këta punonjës të ndërmarrjes publike “Vodovod” në Bor të dy të moshës 50-vjeçare, pasi e goditën me veturë Danka Iliqin e fshehën trupin e saj në një vendndodhje ende të panjohur për policinë serbe.
Policia ka arrestuar edhe babain dhe vëllain e njërit prej të dyshuarve për vrasjen e Danka Iliqit pasi dyshohet se kanë ndihmuar në lëvizjen e trupit të vrarë të vajzës së mitur. Atyre u është caktuar masa e ndalimit në paraburgim për 30 ditë sepse akuzohen për veprën penale të vrasjes në bashkëpunim.
Masa u mor edhe për shkak të rrezikut të arratisjes, mundësisë për të ndikuar mbi dëshmitarët, asgjësimin ose heqjen e gjurmëve të kryerjes së veprës penale si për shkak të shqetësimit publik. Ata e kanë pranuar krimin e rëndë që ka tronditur opinionin publik serb e më gjerë. Kërkimet për trupin e vajzës së vrarë po vazhdojnë, në disa lokacione në zonën e Borit nga policia serbe në bashkëpunim me Interpol-in.
Është kontrolluar edhe ferma e gjyshit të njërit prej të dyshuarve. Vetë autorët e vrasjes kanë deklaruar se trupi i vajzës ndodhej në landfillin e qytezës, por trupi i saj ende nuk është gjetur. Qytetarët e Borit vijojnë të vendosin lule e të ndezin qirinj pranë Shtëpisë së Kulturës si dhe t’i dërgojnë ngushëllime familjes Iliq.
Klan News