Nazime Mulla dhe Glesantina Saraçi janë dy infermieret e arrestuara që ushtronin profesionin në azilin privat ku u vra i moshuar Virxhil Vesho mëngjesin e së enjtes.
Mulla, 31 vjeçe dhe Saraçi, 26 vjeçe u vendosën në pranga sepse nuk kallëzuan krimin në polici, por njoftuan një agjenci funerale. Dy infermieret pretenduan se nuk e kishin kuptuar që 78-vjeçari Zyhdi Shehi kishte vrarë shokun e dhomës.
78-vjeçari Zyhdi Shehi e goditi disa herë me një bastun hekuri Virxhil Veshon, 82 vjeç, duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme.
Ngjarja ndodhi rreth orës 4:00 të mëngjesit të së enjtes në një shtëpi private të moshuarish në zonën e Ali Demit në Tiranë. Burime nga grupi i hetuesve thanë se debati ka qenë banal. Autori e kishte akuzuar viktimën se kishte shkuar pa leje në dhomën e tij dhe i kishte zënë krevatin edhe pse dhomat janë dyshe.
Sipas të njëjtave burime, të dy të moshuarit vuanin nga demenca dhe Parkinsoni. Edhe 78-vjeçari, Zyhdi Shehi është vënë në pranga i akuzuar për vrasje me dashje.
Njoftimi i Policisë:
Në lidhje me ngjarjen e ndodhur ditën e djeshme, më datë 08.08.2024, ndodhur në një azil privat për të moshuarit, ku shtetasi Z. Sh., 78 vjeç, ka goditur me bastun shtetasin V. V., i cili si pasojë e dëmtimeve të marra ka humbur jetën, ju informojmë se:
Në vijim të veprimeve hetimore të thelluara të kryera u arrestuan shtetaset G. S., 26 vjeçe, dhe N. M., 31 vjeçe, të dyja banuese në Tiranë, me profesion infermiere në azilin ku akomodoheshin dy të moshuarit.
Nga hetimi i kryer u siguruan prova të mjaftueshme që krijojnë dyshimin e arsyeshëm se dy të arrestuarat në bashkëpunim me njëra-tjetrën, kanë konsumuar veprën penale “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”, parashikuar nga neni 301/25 i Kodit Penal.
Këto dy shtetase nuk kanë njoftuar organet kompetente për ngjarjen e ndodhur si dhe kanë kryer veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës.
Materialet i kaluan Prokurorisë./tvklan.al