Deklarimet e dy infermiereve të azilit privat në Tiranë, se nuk kuptuan se i moshuari Virxhil Vesho është vrarë nga shoku i dhomës Zyhdi Shehi, nuk kanë bindur policinë e Tiranës. Këta të fundit i kanë komunikuar arrestin Nazime Mulla dhe Glesantina Saraçi 31 dhe 26-vjeç, duke i akuzuar për veprime që kanë penguar zbulimin e të vërtetës.
Kjo akuzë është ngritur pasi dy infermieret nuk lajmëruan policinë për ngjarjen, por telefonuan agjencinë funerale. Sipas burimeve të policisë ato e kanë mbështjellë trupin e viktimës me çarçaf dhe më pas e ka marrë agjencia funerale për të kryer procedurat e varrimit. Por punonjësit e agjencisë e kanë kthyer trupin pas, kur kanë parë plagët në trupin e 82-vjeçarit Vesho. Sapo kanë konstatuar plagët, kanë lajmëruar edhe policinë.
Në dëshminë e tyre infermieret Mulla dhe Saraçi janë shprehur se nuk dyshuan për vrasje, por menduan se i moshuari ishte rrëzuar. Por grupi i hetuesve ngriti akuzën ndaj tyre pas këqyrjes së kamerave të sigurisë ndërsa vijon marrja e dëshmive deri në zbardhjen e plotë të rrethanave. Sipas policisë krimi i rëndë ndodhi pas një sherri banal mes të moshuarve në dhomë.
Viktima Virxhil Vesho banonte prej 4 vitesh në shtëpinë e të moshuarve që ndodhet në rrugën Ali Visha në Tiranë. Ndërsa autori, historiani i njohur Zyhdi Shehi qëndronte prej 1 viti. Të dy sipas policisë vuanin nga disa sëmundje, si demenca, parkinsoni apo dhe skleroza.
Klan News