Masa të rrepta sigurie janë vendosur në burgjet shqiptare pas rastit të vdekjes së dyfishtë në dhomën e takimeve speciale në burgun e Peqinit ditë më parë. Ishte Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve, ajo që me një urdhër të brendshëm kishte urdhëruar futjen e ventilatorëve në dhomat e vogla të izoluara. Por rasti i pa precedent i burgut të Peqinit nxori të tjera skandale që ndodhin në qelitë speciale të takimeve.
Një kategori e të dënuarve kryenin martesa fiktive, për të përfituar takime speciale me prostituta përkundrejt pagesave. Një procedurë kjo e cila shpesh mundësohej dhe me korruptimin e efektivëve të policisë së burgjeve. Situata nuk kishte se si të kalohej pa masa konkrete nga Drejtoria e Burgjeve.
Në një mbledhje urgjente pas ngjarjes së Peqinit, Drejtori i përgjithshëm i burgjeve Gazmend Dibra, ka kërkuar informacion lidhur me inventarin e takimeve dhe masave të sigurisë në të cilat ato kryhen. Dhënia e ryshfeteve punonjësve të burgjeve nga ana e të dënuarve është një tjetër fakt, i cili nuk mund të pranohet zyrtarisht, por ai mbetet një prej pikave më të dobëta të funksionimit të sigurisë në disa burgje.
Disa të burgosur të dënuar me vendime kapitale, kanë arritur deri aty sa të kthejnë qelitë e burgjeve në vende argëtimi, duke zhvilluar takime speciale dhe me prostituta. Burime të sigurta nga ky institucion bëjnë të ditur se tashmë takimet speciale do të mbikëqyren nën masa të rrepta sigurie dhe se certifikatat familjare do të jenë i vetmi dokument i domosdoshëm për të zhvilluar një takim në qelitë e burgut./tvklan.al
Gazetare: Anduena Llabani