Policia e Vlorës ka gjetur trupin e pajetë të Eraldo Nevruzit duke zbardhur dhe të gjithë dinamikën e krimit të rëndë, që ndodhi në orët e para së të enjtes në hotel “Greccia” të Himarës. 31-vjeçari ishte hedhur në zonën e njohur si “Përroi i Gjipesë”, mes Dhërmiut dhe Vunoit.
Autori i krimit Geraldo Shehu është ndihmuar nga dy punonjësit e hotelit të tij për të futur në makinë trupin e pajetë. Dy bashkëpunëtorët e arrestuar janë: Daniel Qose dhe David Larti nga Korça.
Për zbulimin e vendodhjes se trupit të pajetë pranë kësaj guroreje, policia është ndihmuar dhe nga kamerat e sigurisë në zonë. Nga pamjet ka rezultuar se Geraldo Shehu ka përshkruar për rreth një orë segmentin nga Himara në Vuno. Pikërisht kjo ka ngritur dyshime se në këtë segment ai ka fshehur trupin e 31-vjeçarit.
Policia është ndihmuar për zbardhjen e ngjarjes dhe nga dy bashkëpunëtorët, punonjës të hotelit. Qose dhe Larti kanë deklaruar se ishin detyruar nga pronari për ta ndihmuar. Ata kanë treguar se, Geraldi dhe Eraldo kanë pasur konflikt tek shkallët dhe më pas e ka qëlluar 2 herë me pistoletë. Sendet personale të viktimës, Shehu i dogji në furrën e picave të hotelit ndërsa në banesën e tij, policia ka gjetur një gëzhojë. Dyshohet se kjo është gëzhoja e plumbit me të cilin ka qëlluar në kokë recepsionistin
Klan News mëson se autori 43-vjeçar pasi ka lënë trupin e pajetë në zonën e Gjipesë, ka vijuar rrugën Himarë – Kuç- Tepelenë-Delvinë-Sarandëderi në Qafë Botë, ku ka kaluar kufirin. Ai zgjodhi këtë rrugë dhe jo nga bregdeti për të shmangur kamerat e sigurisë dhe policinë. Nga bashkëpunimi mes policisë shqiptare dhe asaj greke, u bë i mundur arrestimi i tij në aeroportin e Kurfuzit. 43-vjeçari kishte prerë një biletë për të udhëtuar drejt Londrës.
Ende janë të paqartë shkaqet e këtij krimi. Autori Gerlado Shehu nga Tepelena, i cili është bashkëpronar me vjehrrën të hotelit Greçia, kishte punësuar para disa ditësh Eraldo Nevruzin, i cili jetonte në Tiranë. Ata kishin pasur njohje dhe në Britaninë e Madhe ku kishin qëndruar për disa kohë.
Klan News