Kryeministri Rama i ka hedhur poshtë akuza e PD për përfitim të padrejtë të pronave të familjes së tij në vuno. Ai i cilësoi akuzat e neveritshme. Në përgjigjen e tij, kreu i qeverisë thekson se po hidhet baltë ndaj familjes së tij.
“Përpjekja e dëshpëruar për të bërë një paralele të pamundur, mes pushtetit të përdorur për veten e për familjen dhe pushtetit të vënë në dispozicion të të gjithëve, ku edhe vetja, familjarët apo fisi yt trajtohen njësoj si të gjithë, është një përpjekje që e përshëndes me kënaqësi, sepse aq sa ç’është e neveritshme si gjithnjë kur hidhet baltë mbi familjen time për të luftuar në fakt me mua, aq është këtë herë edhe e mirëseardhur për të bërë dallimin si nata me ditën mes agresorëve të familjes time dhe meje si kundërshtar i papërkulshëm i tyre.”
Kryeministri Rama paralajmëroi se do të ngrejë padi.
“Të gjitha faktet që e ekspozojnë këtë përpjekje, si një lëtyrë të nxjerrë nga kanalet e ujërave të zeza mediatike në Tiranë e në Athinë, e tashmë të propaganduar nga skllevërit e ballkonit Non Grata, do të jenë pjesë e padisë së radhës në gjyq për këta të paudhë që në fakt, po i paguajnë me një vetëdiskreditim e vetëturpërim shembullor në sytë e shqiptarëve paudhësitë e panumërta, që i kanë bërë këtij vendi e këtij populli kur kishin edhe gurin edhe arrën, në duart e tyre të mbrapshta e të pista.”
Kryeministri sqaron se trashëgimtarët e stërgjyshit nuk i kanë marrë ende certifikatat e pronësisë.
“Por për publikun ka vetëm një fakt. Sot e gjithë ditën, duzina e trashëgimtarëve të pronave të stërgjyshit tonë në Vuno të Himarës, njësoj si plot trashëgimtarë të tjerë të kësaj zone – ku sapo isha së bashku me kryebashkiakun tonë të së dielës së ardhshme, Vangjel Tavon – nuk i ka marrë ende certifikatat e pronësisë. Sepse unë, ndryshe nga kundërshtarët e mi pa din e pa iman, nuk jam i asaj kategorie përfaqësuesish të popullit, që tjetër thonë për njerëzit e tjetër bëj për vete.”
Kryeministri e mbyll reagimin e tij me një ironi duke i falenderuar që e hapën këtë gropë në publik ku do të hidhen vetë brenda. Ai shkruan se populli do ta shoh dallimin e madh, si në një pasqyrë ku vetëm qorrat me qimen e syrit në tru mund të mbeten pa e kuptuar!
Klan News