Pasi e akuzoi se ka përdorur pushtetin e kryeministrit për të grabitur një pronë në zonën e Vunoit, Sali Berisha u shfaq sërish duke i drejtuar disa pyetje Edi Ramës për 224 mijë metrat katror, për të cilat ai thotë se, kreu i qeverisë nuk paraqiti asnjë dokument zyrtar në daljen e tij të fundit, që vërteton pronësinë e nënës dhe familjarëve të tij.
“A është nëna jote Aneta Rama Koleka, së bashku me Kolekë të tjerë, palë në gjyq me shtetin që ka kërkuar 224 mijë metër katror tokë në Gjipe?
Nëna juaj e ndjerë nuk jeton më, pra ti dhe Olsi a jeni trashëgimtarë të saj apo nuk jeni? Mos do thuash se është vetëm Olsi?
Si ka mundësi që këto 224 mijë metër në Gjipe nuk ekzistonin të regjistruara në kadastrën e kohës së mbretërisë, kohës së pushtimit dhe as kohës së komunizmit, nga pronarët që shfaqen sot
Çfarë të lidh ty kryeministër, me nder shtetar me një tokë e cila nuk ka qenë kurrë e regjistruar në kadastër si tokë e familjes tuaj dhe ju nuk keni asnjë dokument që të vërtetojë se regjimi komunist i Enver Hoxhës, e konfiskoi apo shpronësoi atë”, tha Berisha.
Për të gjitha akuzat e bëra nga Partia Demokratike, Kryeministri Rama paralajmëroi padi penale për shpifje.
Përmes një postimi të gjatë kreu i qeverisë u shpreh se jo vetëm që nuk ka favorizuar askënd në marrjen e kësaj prone, por me firmën e tij ka bllokuar kthimin e saj në vitin 2016, kohë kur ishte në pushtet.
Ndonëse është një nga 11 trashëgimtarët e kësaj prone, kryeministri u shpreh se ai vetëpërjashtohet nga përfitimi i çdo pasurie.
Sipas Ramës, akuzat janë një sulm i mirëorganizuar jo vetëm nga opozita, por edhe Athina, me qëllim bërjen pis të tij pas fitores së socialistëve në Bashkinë e Himarës në zgjedhjet e 4 Gushtit.
Tv Klan