Partia Demokratike akuzoi këtë të premte kryeministrin Edi Rama se familja e tij ka përfituar padrejtësisht 22.4 hektarë tokë në zonën e Vunoit me një vlerë mbi 30 milionë Euro. Sekretari për Çështjet Ligjore, Ivi Kaso tha se në 2017, Agjencia e Trajtimit të Pronave refuzoi regjistrimin e pronës së trashëguar.
Ivi Kaso: ATP e ka refuzuar regjistrimin, në një vendim ende të pazbardhur, por me siguri sepse ka gjetur mangësi në dokumentacion. Mungesa e vendimit të shpronësimit, mungesa e pozicionimit të saktë (kufijtë) hartografikë të pronës.
Megjithatë, sipas Kasos, dy vjet më pas, Gjykata e Vlorës e ndryshoi vendimin por të gjitha institucionet nuk e kanë kundërshtuar atë.
Ivi Kaso: ATP, ZRPP-Vlorë, Bashkia Himarë, Qarku Vlorë, Drejtoria e Pyjeve dhe Kullotave kanë braktisur gjykimin dhe vetëm Avokatura e Shtetit ka marrë pjesë një herë formalisht.
Demokratët thonë se për marrjen e kësaj prone, Rama ndryshoi 2 ligje dhe mori 7 vendime në qeveri nga viti 2016 deri në 2020-ën.
Tv Klan