Policia e Durrësit dyshon se Edison Brahja, i arrestuar pasi ndihmoi Esmerald Ballën, të fshihte trupin e të atit, mund ta ketë ndihmuar atë edhe në fabrikimin e provave për alibinë.
Kjo për shkak se ai ka deklaruar disa ditë pas denoncimit si të zhdukur të 62-vjeçarit se kishte gjetur kasafortën, por pa lekë brenda, në mënyrë që të forconte alibinë se ishte larguar me një grua.
Nga ana tjetër, 25-vjeçari ka pranuar para hetuesve praninë në vendin e ngjarjes ku Enver Balla u vra me armë zjarri nga djali i tij.
“Unë kam qenë 10 metra larg në momentin kur ka ndodhur vrasja. Fillimisht trupin e kemi lënë të fshehur në ferra dhe nga darka e kemi marrë dhe transportuar deri te vendi ku u gjet brenda pusit. E kemi hedhur dhe e mbuluam me goma. Unë kam marrë rreth 2 milionë e gjysmë lekë si pagesë për punët që kryeja te stani”.
Edhe pse i riu deklaron se këtë shumë e ka marr si pagë për punën, hetuesit dyshojnë se ajo i është dhënë nga miku i tij, Esmerald Balla për ndihmën me fshehjen e ngjarjes.
Kjo është një foto e tyre pak ditë pasi kishte ndodhur ngjarja e rëndë. Enver Balla u vra nga djali i tij në 13 Gusht pas debateve për menaxhimin e 7.5 milionë Lekëve, kursime familjare.
Tv Klan