Xhaxha e nip, pronarë të një lokali dhe një klient i rastit u bënë shënjestër e breshërisë së automatikut mbrëmjen e djeshme në lagjen 9 të Durrësit. Viktimat janë 44 vjeçari Luan Curri, nipi i tij Andi Curri 19 vjeç dhe Edmond Shemsi 42 vjeç. Ngjarja e rëndë ndodhi në zonën e njohur si ish-rruga e Gëlqeres.

Një person i armatosur  ka hyrë i maskuar rreth orës 22 e 30 të mbrëmjes në lokalin ne pronësi të vëllait të Luan Currit, dhe i është drejtuar tavolinës ku ky i fundit ishte ulur bashkë me nipin e tij. Pasi ka zbrazur një breshëri kallashnikovi mbi viktimat, autori është larguar menjëherë me një motor të parkuar në dalje të lokalit.

Enkelejda Arapi: Pikërisht mbrapa meje është vendi ku qëndronte motori me të cilin autori i ngjarjes është larguar në drejtim të paditur vetëm pas kryerjes së aktit të rëndë, ku mbetën të vdekur 3 persona.

Grupi  hetimor i mbërritur në vendngjarje ka gjetur 18 gëzhoja, 10 nga të cilat i përkisnin plumbave që përshkuan trupin e 44 vjeçarit Luan Curri. Ai dyshohet të ketë qenë dhe objektivi kryesor i vrasësit. Curri njihej si person me precedent penal dhe sipas policisë, një prej pistave të ekzekutimit të tij dyshohet të jeta ajo e hakmarrjes. Ngjarja ka ngritur në këmbë strukturat e policisë së Durrësit, të cilat nuk kanë dhënë ende asnjë detaj mbi autorin e këtij krimi të rëndë./tvklan.al

Gazetare: Enkelejda Arapi