Emiljano Shullazi dhe Viktor Ymeri mohojnë njohjen me Luftar Reçin
Gjykata e Posaçme ka lënë në fuqi masën e arrestit më burg të dhënë për 4 të akuzuarit si autorë të dy atentateve mafioze të ndodhura 15 vite më parë. I pari që doli përballë gjykatës ishte Emiljano Shullazi që akuzohet si një nga organizatorët e vrasjes së Vajdin Lames dhe mikut të tij Dritan Arsi, mbrëmjen e 27 Shkurtit të 2005-s. Në burg do të qëndrojë edhe Viktor Ymeri që sipas dëshmisë së bashkëpunëtorit të drejtësisë Luftar Reçi, përmes njohjeve nga burgu, ka gjetur personin për të kryer shpërthimin e tritolit ku humbën jetën Lamaj dhe Arsi.
Seancat janë zhvilluar me dyer të mbyllura dhe sipas informacioneve të akuzuarit kanë mohuar njohjen me Reçin, dëshmia e të cilit i implikon ata në vrasjet e bujshme. Indrit Rusit një tjetër i arrestuar si i përfshirë në këto ngjarje kriminale do të qëndrojë në burg deri në përfundim të hetimeve.
Edhe Luftar Reçi, që bashkëpunoi me prokurorinë për të zbardhur atentatet mafiozë do të hetohet në masën e arrestit me burg. Sipas hetuesve Reçi është personi që ka bashkëpunuar me Lulzim Berishën, Plarent Dervishin dhe Indrit Taullain për të kryer ekzekutimin e Klodian Saliut dhe më pas ka siguruar edhe tritolin për shpërthimin ku humbi jetën Vajdin Lame dhe miku i tij. Lulzim Berisha dhe Plarent Dervishi janë shpallur në kërkim ndërkombëtar.
Tv Klan