Në fillim u mendua për një rrëzim nga lartësia, por 52-vjeçari shqiptar Artan Kaja u vra me plumb në kokë. Pronari i një kompanie mallrash në Lunata të Italisë u gjet i pajetë nga bashkëshortja e tij mbrëmjen e së martës në ambientet e punës.

Ai nuk u ishte përgjigjur thirrjeve telefonike duke shqetësuar të afërmit. Me kryerjen e analizave të para hetuesit konfirmuan se bëhej fjalë për një vrasje. Në pranga është vënë menjëherë një 50-vjeçar shqiptar i cili para hetuesve ka pranuar vrasjen. Autori, një shofer kamioni ishte pushuar nga puna 2 muaj më parë për shkak të një debati që kishte pasur me viktimën.

Nga hetimet është zbuluar se autori kishte hyre fshehtas në ambientet e kompanisë duke kapërcyer murin në një vend që nuk mbulohej nga kamerat e sigurisë dhe e kishte qëlluar 52-vjeçarin sapo ai kishte mbetur vetëm.

Arma e krimit nuk është gjetur ende edhe pse autori ka rrëfyer se e ka hedhur pas ngjarjes në një kosh mbeturinash. 50-vjeçari i arrestuar do të merret sërish në pyetje për të kuptuar nëse ka vepruar i vetëm apo ka pasur bashkëpunëtorë. Prokurorja e rastit ka ngritur ndaj tij akuzën e vrasjes me dashje.

Tv Klan