Lajme Arkiva 2003
Velçani është fshati dhe qendra e komunës më të largët të Pogradecit, rreth 60 kilometra nga qyteti. Më shumë se 2000 banorë të këtij fshati të cilët merren me bujqësi, blegtori dhe djemtë me emigracion, që prej disa ditësh nuk kanë temë tjetër bisede. Ata flasin vetëm për vrasjen e 20-vjeçarit A.L.
Ky është rasti i fundit, sepse në këtë fshat ka pasur edhe raste të tjera ku emigrantët kanë ardhur të futur në arkivole nga Greqia fqinje.
6 bashkëfshatarë të A. i ka vrarë dora greke dhe e vërteta është varrosur bashkë me ta. Aleksandri kishte 18 muaj që punonte në Kozanë së bashku me vëllain e tij Armando. Të dy djemtë do të ktheheshin shumë shpejtë, pasi Armando do të fejohej në 20 Dhjetor.
“Ky greku që e vrau aty vajti në kafene, magazinë. I tha një shoku i atij, pse i ke duart me gjak kështu, vrava një shqiptar tha ai. Këta e morën në telefon policinë e arrestuan atë. Vajti ambulanca atje, po pa vajtur akoma, në rrugë vdiq”.
Angjelina, motra 17-vjeçare e Aleksandrit nuk shpreh fjalë për të shprehur dhimbjen e saj.
Motra e emigrantit: Dua të dali e vërteta, se ma vranë kot.
Ndërsa xhaxhai i Aleksandrit apelon për tu ndalur dora vrasëse e grekut.
Xhaxhai i emigrantit: Shteti të vërë dorë sepse kjo nuk është hera e parë, janë 6 bashkëfshatarë, të këtij fshati, janë 6 djem që kanë ikur me këto motivacione të tilla të kësaj natyre.
Ndërkohë dje ka mbërritur ne Kapshticë edhe raporti i policisë greke, ku thuhet se emigranti shqiptar Aleksandër ka vdekur për shkaqe natyrore, infarkt në zemër, por nga ekzaminimet e ekspertëve mjeko-ligjor, nën mbikëqyrjen e prokurorisë dhe autoriteteve shqiptare rezulton se emigranti është qëllua me thikë në zemër ku i është çarë aorta, ky ka qenë edhe shkaku i vdekjes./tvklan.al