Një 25-vjeçar shqiptar është vrarë në Këln të Gjermanisë para një klubi nate. Bild ka mësuar se ngjarja ka ndodhur mëngjesin e së hënës, ndërsa sot është bërë i mundur identifikimi i viktimës.
Shqiptari, emri i të cilit nuk është bërë publik, kishte shkuar në Gjermani për të vizituar një familjar të tij që jetonte në Këln.
Autoritetet kanë thënë se i riu është vrarë me një objekt të mprehtë. Deri më tani nuk jepen shumë detaje në lidhje me vrasjen pasi po vijojnë hetimet.

Megjithatë dëshmitarët kanë thënë se e kanë gjetur viktimën të shtrirë dhe të mbuluar nga gjaku. Kur kanë shkuar punonjësit e urgjencës nuk kanë mundur të bëjnë asgjë pasi shqiptari kishte ndërruar jetë.
Dyshimet janë që shkak i vrasjes të jetë bërë një konflikt, prandaj për këtë arsye policia është vënë në kërkim të një personi, i cili dyshohet se ka pasur sherr me shqiptarin kur kanë qenë në klub.

“Të dy kishin një debat brenda dhe dolën jashtë. Papritur një prej personave ra në tokë”, tha një dëshmitar.
Siç raporton Bild, vrasja është kryer pasi është festuar Halloween./tvklan.al