56-vjeçari Bujar Nasufi është ekzekutuar me armë zjarri mbrëmjen e sotme në afërsi të banesës së tij në Tiranë. Uniformat blu njoftojnë se autori ka qëlluar me armë zjarri në drejtim të automjetit që drejtonte viktima, i cili po udhëtonte i vetëm. Si pasojë e të shtënave, 56-vjeçari ka ndërruar jetë në vendngjarje.
Ngjarja e rëndë ka ndodhur rreth orës 20:40, në vendin e quajtur “Pallati me Shigjeta” në rrugën “Myrte Zeneli” në Tiranë. Klan News ka mësuar se autori është larguar me motor drejt zonës së Selitës dhe më pas ka humbur gjurmët.
Deri në këto momente, policia ka arritur në konkluzionin se në drejtim të 56-vjeçarit ka qëlluar vetëm një person, i cili po lëvizte me motor. Megjithatë, hetuesit nuk përjashtojnë mundësinë që autori të ketë pasur bashkëpunëtorë në kryerjen e krimit. Sipas asaj që informon gazetari Besar Bajraktaraj, uniformat blu kanë gjetur në vendin e ngjarjes 6 gëzhoja.
Viktima nuk rezulton person me precedentë penalë. 56-vjeçari ishte bashkëpronar i një mobilerie së bashku me vëllanë e tij, çka ka ngritur dyshimet se krimi mund të ketë ndodhur si pasojë e ndonjë konflikti të mundshëm që ka lidhje me biznesin e tij. Bëhet e ditur se mobileria në pronësi të viktimës dhe vëllait të tij ndodhet në afërsi të vendngjarjes.
Familjarët e viktimës kanë deklaruar se nuk kanë qenë në dijeni të ndonjë konflikti që mund të ketë pasur 56-vjeçari. Ndërkohë, uniformat blu pyetën edhe dëshmitarë të ngjarjes, të cilët kanë deklaruar se panë automjetin e ndaluar dhe më pas lajmëruan policinë.
Shërbimet e Policisë kanë ngritur pika kontrolli dhe po ushtrojnë kontrolle në zonë për kapjen e autorit.
Njoftimi i Policisë:
Më datë 12.01.2025, rreth orës 20:40, tek “Pallati me Shigjeta” në rrugën “Myrte Zeneli”, është qëlluar me armë zjarri në drejtim të një automjeti me drejtues shtetasin B.N, rreth 56 vjeç, i cili si pasojë ka humbur jetën.
Një grup i posaçëm hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, ndodhet në vendngjarje dhe vazhdon punën për sqarimin e rrethanave të ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorit/ëve të dyshuar.
Shërbimet e Policisë kanë ngritur pika kontrolli dhe po ushtrojnë kontrolle në zonë për kapjen e autorit.
Informacion më të detajuar mbi këtë ngjarje do të japim në vijim pas veprimeve hetimore paraprake.
/tvklan.al