“56-vjeçari Bujar Nasufi sapo kishte parkuar automjetin e tij pikërisht në këtë vend, kur një person ende i paidentifikuar iu afrua pranë dhe e qëlloi disa herë me armë zjarri duke e lënë të vdekur brenda në makinën e tij”, raporton gazetari i Tv Klan, Merin Maçi.

Të paktën 6 gëzhoja ka lënë në vendgjarje autori, i cili pasi ka kryer krimin është larguar me një motor.

Nga verifikimi i kamerave të sigurisë, vrasësi ka dyshime se e ka pritur viktimën në afërsi të banesës së tij, në momentin që 56-vjeçari është kthyer në shtëpi së bashku me bashkëshorten e tij.

Burime bëjnë me dije se autori i është afruar viktimës sapo ai është ndarë nga gruaja e tij e cila ka zbritur nga makina dhe i është drejtuar banesës pak metra larg vendit ku ndodhi ngjarja, në rrugën “Myrte Zeneli”.

Mëngjesin e kësaj të hëne në përpjekje për të zbuluar lëvizjet e autorit pas ngjarjes, në vendin e quajtur “Kodrat e Sharrës” gjatë krehjes së zonës, shërbimet e Policisë kanë gjetur një motomjet dhe një automatik MP5 të djegur, të cila dyshohet se i përkasin autorit.

Ndërkohë lidhur me motivet e vrasjes, hetuesit po verifikojnë disa pista, mes të cilave ndonjë konflik të mundshëm ku mund të jetë përfshirë viktima kohët e fundit.

Për zbardhjen e ngjarjes policia ka pyetur familjarë dhe persona të afërm me viktimën, por deri më tani ende asnjë gjurmë nga vrasësi.

Tv Klan