Ky është Irakli Devella, shtetasi grek me origjinë shqiptare që sipas mediave greke humbi jetën gjatë atentatit me armë zjarri këtë të dielë të sotme në zonën e Thrakomaqedonisë në Greqi.
Ndërkohë një shtetas tjetër i identifikuar si Edi Lolo, po ashtu me origjinë shqiptare, mbeti i plagosur në kokë dhe barkë dhe po lufton me jetën në spital në gjendje të rëndë.
Sipas burimeve policore, ngjarja e rëndë ndodhi rreth orës 13.15 minuta me orën lokale në kryqëzimin e rrugëve Aristolelus dhe Komotinit.
Mediat lokale të cilat i referohen burimeve policore sqarojnë se, dy personat ndodheshin në një kafene në momentin që janë qëlluar nga një makinë në lëvizje.
Si pasojë e të shtënave Irakli Davella ka gjetur vdekjen e menjëhershme, si pasojë e plumbave që ka marrë në kokë. Mësohet se viktima është pronar i një lokali në zonën “Peristeri” të Athinës, ndërsa në një atentat në 2018-ën u vra dhe një miku i tij.
Burimet policiore bëjnë me dije se edhe shtetasi tjetër i lënduar nga atentati mafioz sapo ishte kthyer nga Dubai.
Qyetatarë të shumtë që kanë qenë të pranishëm në momentin e atentatit kanë konfirmuar për policinë se, të dy personat janë qëlluar nga një distancë e afërt përpara se të largoheshin nga lokali.
Burime policore flasin për një ekzekutim mafioz dhe se kanë nisur operacionin për gjetjen e autorëve të cilët kanë përdorur në krim një makinë të cilën e kishin vjedhur pikërisht këtë të diel. Dyshohet se shkak i ngjarjes janë përplasjet mes grupeve kriminale.
Kjo ngjarje vjen pas asaj të pak ditëve më parë në Selanik, ku si pasojë e një atentati një 24-vjeçar mbeti i plagosur rëndë në rrugën “Egnatia” pranë Selanikut.
Tv Klan